Maqedoni

Procesi i votimit, MPB: Tre incidente, në Kërçovë dhe Tetovë

31.10.2021 13:24

Procesi zgjedhor ka nisur dhe po vijon kryesisht qetë dhe pa probleme....

Procesi zgjedhor ka nisur dhe po vijon kryesisht qetë dhe pa probleme. Si të tillë e ka cilësuar MPB votimin. Zëdhënësi i këtij dikasteri tha se janë regjistruar vetëm tre incidente, dy në Kërçovë ku një votues është arrestuar dhe një parregullsi në Tetovë. 
 
“Në Kërçovë kemi arrestuar një votues pasi ka grisur fletën e votimit pasi ka shfrytëzuar të drejtën e votës. Sipas urdhrave të prokurorit publik, ndaj tij do të ngrihet padi penale. Gjithashtu në Kërçovë është evidentuar edhe fotografim i fletës së votimit, për të cilin gjithashtu do të pasojë padi adekuate. Në Tetovë, një qytetare ka tentuar të shfrytëzojë të drejtën e votës pa paraqitur dokument të identifikimit, por një dokument nga celulari. Edhe ky rast do të zbardhet plotësisht.”,- tha zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
 
“Civil”: Nëpër vendvotime qetë, me disa përjashtime
 
Edhe asociacioni qytetar Civil procesin e votimit nga nisja e ka cilësuar kryesisht të qetë, por të ndërthurur me gjuhë të urrejtjes nëpër rrjetet sociale. Kryetari, Xhabir Deralla, është shprehur se vetëm disa vëzhgues të CIVIL janë penguar në monitorimin e zgjedhjeve, ndërkaq në Kumanovë, një anëtare e komisionit zgjedhor ka ndikuar tek një votues se për kë të votojë duke e fotografuar të njëjtin me celular.
 
Deralla deklaron edhe për thyerjen e heshtjes së zgjedhore rreth orës 1 të mëngjesit në disa vende në vendbanimin Kapishtec të Shkupit. Në dyert e shumë banesave në blloqet e banimit në të gjithë vendbanimin janë varur fletushka me përmbajtje propagandistike në kontekstin zgjedhor, njoftojnë nga CIVIL.
 
MERAL ISMAILI