Botë

SHBA dhe BE: Irani të rikthehet tek marrëveshja bërthamore

31.10.2021 14:14

Liderët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe...

Liderët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i bënë thirrje Iranit që të rikthehet në bisedimet bërthamore në mënyrë që të parandalohet një "përshkallëzim të rrezikshëm".
 
Deklarata e përbashkët e presidentit të SHBA-së Joe Biden, kancelares gjermane, Angela Merkel, kryeministrit britanik, Boris Johnson dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, u lëshua pas një takimi të përbashkët që u mbajt në Romë të Italisë ku po zhvillohet një samit i 20 vendeve më të zhvilluara në botë që njihet si grupi G20. Në deklaratë i bëhet thirrje Iranit t’i kthehet zbatimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
 
Bisedimet e Iranit me gjashtë fuqitë botërore që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 janë planifikuar të rifillojnë deri në fund të nëntorit, tha në fillim të kësaj jave negociatori kryesor bërthamor i Iranit. Data e saktë ende nuk është bërë e ditur. Kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel tha se ishte thellësisht e shqetësuar me pasurimin e uraniumit në Iran.