Maqedoni
Historianë dhe intelektualë me qëndrime “për” dhe “kundër” stemës
15.12.2014 16:38
Historianët dhe intelektualët e fushave të ndryshme nga vendi dhe rajoni, kanë qëndrime të ndryshme rreth propozimit për stemën e re të Maqedonisë...

Historiani nga Shqipëria, Pëllumb Xhufi dhe historiani nga Kosova, Shyqyri Nimani, vlerësojnë se stema e re përmban elemente shqiptare, të cilat janë përdorur që në shek.
XXIII edhe nga figura të shquara kombëtare shqiptare, përfshirë edhe familjen e Kastriotëve.
“Ka qenë një stemë e familjes Skurra, që në shek. e XXIII ka qenë familja e parë shqiptare. U bë stemë e Topijajve, por u mor edhe nga familja e Kastriotëve dhe Shteti i Skënderbeut. Unë besoj se përfaqësohej në mesjetë në mënyrën më të plotë. Në atë kohë kur princërit shqiptarë kishin luanin, të jeni të sigurt që në Maqedoni akoma nuk kishte hyrë kjo praktikë e stemave”- deklaroi historiani nga Shqipëria, Pëllumb Xhufi.
“Ky luan është i kthyer kah perëndimi, kjo është gjë e bukur, që do të thotë se Maqedonia është e përcaktuar që të hyjë në shoqërinë evropiane. Unë mendoj që kjo as shqiptarëve as maqedonasve nuk duhet t’u pengojë. Është një luan, simbolika e luanit është forca. Luani është shumë ilustrativ, është i egër”- tha historiani nga Kosova, Shyqyri Nimani.
Por, historiani nga Maqedonia, Nebi Dervishi, thotë se stema është simbol i shumë vendeve sllave dhe se kjo stemë diskriminon tërësisht komunitetet në Maqedoni.
“Stema shtetërore kështu, me këtë luan të çoroditur, të kuq dhe me një sfond të verdhë, e zbukuruar me disa kulla, aspak s’ka asnjë element të shqiptarëve. Mos të mundohet të na bind profesori se është shqiptare”- theksoi historiani nga Maqedonia, Nebi Dervishi.
Në vijë të njëjtë me historianin Dervishi janë edhe juristët, Mersim Maksuti dhe Bashkim Selmani.
“Para nesh qëndron një përgjegjësi e madhe kombëtare dhe profesionale, se këtë e kemi një nga çështjet të cilat mund ta mbrojmë me kushtetutën e këtij vendi, sipas parimit të badenterit që nëpërmjet votës së deputetëve shqiptarë mund të japin vizën apo jo dhe mendimi im profesional është që të ketë një konsenzus më të gjerë shoqëror, që të vijë në shprehje përfaqësimi multietnik i këtij vendi, gjë që stema e re qëndron para një debati me pyetjen se sa vërtet mund të reflektojë dhe të shpreh multietnicitetin”- u shpreh dekani i Fakultetit Juridik pranë USHT-së, Mersim Maksuti.
“Deri më tash të gjitha ligjet që janë sjellë janë në kundërshtim të vullnetit të qytetarëve dhe pjesës dërrmuese shqiptare, prandaj porosia e shqiptarëve është dhe do të jetë kjo: emblema shqiptare duhet të këtë formë. Ne i duam maqedonasit, i respektojmë, por të njëjtën e kërkojmë ta bëjnë edhe ata. Kësaj radhe unë besoj që do të ofendohet populli shqiptar në rast se nuk do të kemi simbolet reale shqiptare”- tha juristi, Bashkim Selmani.
Sulejmani, njëherit shpalosi propozimin se si do të duhej të duket stema që do të ishte e pranueshme edhe për shqiptarët, e propozuar nga historianët shqiptarë, në bashkëpunim me mërgatën shqiptare.
VALBON BEXHETI
