Maqedoni

BESA shpall fitore në Tetovë: Bilall Kasami kryetar i ri i Tetovës

31.10.2021 21:51

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha në konferencën për shtyp në selinë partiake në Tetovë...

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha në konferencën për shtyp në selinë partiake në Tetovë deklaroi se partia e tij dhe lideri Bilall Kasami e fitoi funksionin e kryetarit të komunës.
 
“Nga 80 për qind të votave të numëruara, dallimi është 5.500 në dobi të Besës. Në Tetovë, dallimi është i madh, fitorja është pranë nesh, pasi nuk ka mundësi që kjo diferencë të zvogëlohet. Kanë ngelur edhe disa vendvotime që janë në qytet, pas asaj që e kemi marrë deri më tani rezultati kudo është 3 me 1 në dobinë tonë, kështu që kjo fitore është fitore e të gjithë qytetarëve. I falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur”, deklaroi Hoxha.
 
Ai vlerësoi se BDI nuk ka marrë vota të mjaftueshme edhe krahas mbështetjes së partive të tjera.
 
“PDSH dhe Alternativa nuk kanë mundur ta mbështesin Teuta Arifin dhe me mbështetjen e tyre kanë arritur ta fitojnë rezultatin që e kanë pritur. Fitorja e Tetovës është shumë e rëndësishme për Besën, tani flasim për një version krejtësisht tjetër, duhet të ndërtohet skena politike, Besa kthehet shumë fuqishëm. Për fat të keq për shkak të ngjarjeve në BESË, duhet të kthehemi në rezultatin që e kishim në vitin 2016, por me fitoren në Tetovë dhe Zhelinë do të jemi konkurrenti më i madh i BDI-së dhe realisht me këtë entuziazëm që e shohim, të rinjtë që janë bashkuar, mund të fitojmë në zgjedhjet parlamentare”, theksoi Hoxha.
 
Ai paralajmëroi se partia do të festojë në sheshin e Tetovës.
 
Paraprakisht, kandidatja e BDI-së për kryetare të Tetovës, Teuta Arifi në konferencë shtypi në selinë e partisë e pranoi humbjen, duke deklaruar se sipas votave të numëruara deri më tani fiton kundërkandidati i saj i Lëvizjes Besa, Billall Kasami.
 
“Sipas numërimit të deritanishëm të  votave kundërkandidati im ka më shumë vota dhe Komuna e Tetovës do të udhëhiqet nga kundërkandidati im. Dua ta përgëzoj për fitoren dhe i dëshiroj punë të suksesshme, duke e pasur parasysh faktin se Tetova është një qytet me shumë sfida. Dua t’ju shpreh falënderim të gjithë qytetarëve të cilët më mbështetën dhe të cilët qëndruan pas konceptit që unë e përfaqësoj. Mbes në mendimin se ky koncept mbetet progresiv dhe koha do të tregojë se progresiviteti gjithmonë ka qenë ana jonë”, theksoi Teuta Arifi