Maqedoni
Kryesia Qendrore e BDI-së debatoi për stemën
15.12.2014 16:46
Kryesia Qendrore e BDI-së, ka diskutuar mbrëmë për propozimin e qeverise për stemën e re të Republikës së Maqedonisë...

Në një mbledhje në përbërje të zgjeruar me përfshirje edhe të deputetëve dhe ministrave, BDI debatoi rreth iniciativës për ndryshimin e stemës së shtetit, me ç'rast u konstatua nevoja për ndryshim të stemës aktuale, që do të paraqesë shkëputje përfundimtare nga e kaluara komuniste dhe nga ndikimi sovjetik në simbolet e shtetit, si dhe do të reflektojë orientimin tonë perëndimor në përputhje me përcaktimet tona strategjike për integrim euroatlantik.
Me këtë rast u theksua nevoja për konsultim më të gjerë shoqëror, me përfshirje të ekspertëve të fushës heraldike dhe historisë, thuhet në njoftimin zyrtar të selisë blu.
Jozyrtarisht mësojmë se mbledhja e mbrëmshme e BDI-së ka kaluar në një debat të ashpër dhe disa prej deputetëve paraprakisht kanë refuzuar të votojnë për stemën e re në formën e propozuar aktualisht.
FARIJE DAUTI-BAKIU
