Maqedoni

Zaevi jep dorëheqje si kryeministër dhe lider i LSDM-së, mbetet në qëndrimin se nuk është koha për zgjedhje parlamentare

01.11.2021 00:12

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, njëherësh kryeministër ka dhënë dorëheqje nga të dy funksionet....

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, njëherësh kryeministër ka dhënë dorëheqje nga të dy funksionet. Në konferencën për shtyp në selinë e partisë, Zaevi ka uruar kundërshtarët politik për fitoren zgjedhore dhe ka thënë se e merr përgjegjësinë për rezultatet e këqija të zgjedhjeve.
 
Ai mbetet në qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi siç tha, “pasojnë edhe dy vjet e gjysmë vite të shkëlqyeshme dhe të papërsëritshme për vendin ku interes do të ketë i gjithë populli dhe vendi”.
 
“Do të mbetem periudhën sa nevojitet, që të ndihmoj, të riorganizohet qeveri e re me shumicë progresive që është dhe ekziston, ndërsa mund të jetë edhe më e madhe”, tha Zaevi.
 
Ai ka uruar të gjithë kryetarët e porsazgjedhur të komunave duke dëshiruar që ndershëm dhe me përgjegjësi t’i shërbejnë popullit.
 
“Jam krenar që bashkë e dërguam vendin në NATO. Vitin e kaluar morëm vendim për fillim të negociatave me BEnë dhe besoj se kemi gjasa të fillojmë negociatat për disa muaj. E bashkuam popullin tonë multietnik dhe i forcuam ekonomikisht edhe krahas pandemisë. Realizuam një regjistrim të suksesshëm, kemi ndërtuar miqësi historike me të gjithë pesë fqinjët tanë me partneritete strategjike të dakorduara. Për ne, progresistët, që besojmë dhe i gëzohemi këtyre sukseseve historike, fatkeqësisht erdhi një dënim politik", tha Zaev.
 
Në këto zgjedhje siç ka thënë ai ka qenë evidente se shumë para, kryesisht nga jashtë dhe nga biznesmenë vendor janë derdhur për mbështetje të opozitës.
 
“E kam për detyrë të komentoj se në këto zgjedhje kanë qenë evident shumë para në terren te opozita, të ardhur kryesisht nga jashtë, ndërsa janë dhënë për arsye politike por dhe ekonomike, ndërsa një pjesë e madhe e parave i kanë marrë edhe nga biznesmenët vendas, në radhë të parë nga pronarë të kompanive të ndërtimit, për interesa të tyre personale, financiare. Më vjen keq që të gjitha këto para janë arsye e rëndësishme për këtë rezultat zgjedhor”, tha Zaevi.
 
Ai ka shprehur dëshpërim që shumica e popullit zgjodhi siç tha, “njerëzit e njëjtë dhe politikanët që para katër vitesh në Parlament donin dhe u nisën të vrisnin”.
 
“Në këto zgjedhje pamë bile edhe aleanca mes viktimave dhe dhunuesve të 27 prillit 2017. U bashkuan viktima të dhunës me dhunuesit e VMRO-DPMNE-së për pushtet dhe para… Jam i bindur se bashkë me qytetarët progresiv kam sjellë lirinë dhe demokracinë dhe kur ka liri dhe demokraci, rregulli është që të ketë përgjegjësi. Duke marrë këtë përgjegjësi, dua të lë gjurmë për të edukuar njerëzit dhe për të rritur kapacitetin e tyre demokratik, por edhe obligimin e tyre qytetare për t’u kujdesur për vendin e tyre”, ka thënë Zaevi./Mia