Afaristët: Shkëmbim i ulët tregtar me Shqipërinë
Maqedonia dhe Shqipëria, kanë këmbim të vogël tregtar edhe pse janë shtete fqinje.....

Kjo u vlerësua sot në “Mëngjesin e biznesit” të organizuar nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë, me temë “Përmirësimi i bashkëpunimit të biznesit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë”, ku morën pjesë më shumë se 100 biznese të vogla dhe të mesme nga dy vendet.
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, ka deklaruar se këmbimi tregtar për momentin është 270 milion dollarë mes të gjitha vendeve në Evropë, ndërsa me Republikën e Shqipërisë është 270 mijë dollarë, i cili është një për qind nga shumë komplete.
“Edhe pse si shtet kemi bërë disa masa që ky këmbim tregtar të jetë më i madh, kjo është ashtu, pasi që lidhja mes dy vendeve, bashkëpunimi tregtar mes dy vendeve, funksionimi i odave ekonomike mes dy vendeve ka qenë, por ky është sinjal që ne më tutje të kemi lidhje më të shpeshta, t’i ndërrojmë idetë, këmbejmë mendime mes dy shteteve, odat ekonomike ta kryejnë punën e vetë, por kuptohet se bartësi kryesor duhet të jetë Ministria e Ekonomisë mes dy shteteve”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Daniella Arsovska, tha se qëllimi i mëngjesit të përbashkët është që kompanitë të rrisin blerjen e pajisjeve, lëndëve të para, të bëjnë tregtim të drejtpërdrejtë, këmbim të teknologjisë, marrjen e kushteve të volitshme për kredi e kështu me radhë.
“Në periudhën e ardhshme, planifikojmë që ky bashkëpunim afarist, që e vendosëm sot me delegacionin e biznesit nga Shqipëria, të intensifikohet në aspektin e këmbimit të informatave, nga aspekti i këmbimit të ofertave që i kanë të dy shtetet dhe t’ia arrijmë qëllimit për rritjen e eksportit dhe importit nga Republika e Shqipërisë”- tha Daniella Arsovska nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka njoftuar për bashkëpunimin ndërkufitar që kjo komunë po bën me Komunën e Korçës dhe Elbasanit, si rezultat i fondeve IPA për bashkëpunim ndërkufitar.
“Përbën një kënaqësi të veçantë fakti që ky projekt IPA nga bashkëpunimi ndërkufitar, nga komponenta e dytë, që është në fakt një aktivitet i Ministrisë së Ekonomisë dhe odave ekonomike, mbahet sot në Tetovë, duke pasur parasysh faktin që është një rëndësi e veçantë mundësia dhe rëndësia e bashkëpunimit mes bizneseve nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe posaçërisht nga zona jonë e Pollogut, duke u nisur nga fakti që mundësitë që ofrohen nëpërmjet zonës ekonomike janë mjaftë të mira”- u shpreh kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Ky aktivitet u realizua me përkrahjen e Programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar me Shqipërinë, në kuadër të projektit “Përmirësimi i bashkëpunimit të biznesit në rajonin kufitar”, të implementuar nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë. Në të morën pjesë kryetarët e Komunave të Tetovës, Gostivarit, Jegunovcës, Bogovinës, si dhe Komunës Mavrovë-Rostushë.
Robert Lidëll nga Delegacioni i BE-së në Shkup, deklaroi para të pranishmëve se për shkak të rezultateve pozitive të arritura deri më tani, do të vazhdojnë të mbështesin projektet e këtilla edhe gjatë vitit të ardhshëm. (Mefail Ismaili, TVM2)
