Maqedoni

OSBE-ODIHR: Raundi i dytë zgjedhorë konkurrues, me mangësi,presion e jotransparencë

01.11.2021 17:54

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut ishte konkurrues dhe administrata e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve...

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut ishte konkurrues dhe administrata e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve bëri përpjekje për të eliminuar disa mangësi procedurale nga raundi i parë,  vlerson Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it. Megjithatë, thonë se retorika negative dhe pretendimet për presion ndaj votuesve dhe kandidatëve vazhduan të ndikojnë në zgjedhje. 
 
“Si në rrethin e parë ne kemi pranuar raporte, disa prej të cilave janë dokumentuar, për presion mbi votuesit, duke përfshirë edhe nëpunësit publik, që të votojnë për kandidatë të caktuar, po ashtu edhe presione mbi kandidatët. Gjithashtu kemi pranuar akuza për blerje të votës. Disa hetime nisën një ditë para ditës së votimit dhe mbeten në pritje. Reagimet politike ndaj këtyre akuzave u heshtën dhe shumë pak veprime u ndërmorën. Garuesit në rrethin e dytë duhej të dorëzonin raporte financiare për donacionet e pranuara një ditë para rrethit të dytë zgjedhor por ata nuk u publikuan. Kjo gjë, bashkë me mungesën e raporteve të rrethit të parë, e redukton transparencën”, u shpreh Ana de Zulueta, shefe e misionit të OSBE-ODIHR.
 
Shefja e misionit të vëzhgusve tha se mediat e monitoruara nga ata u kanë ofruar votuesve informacion të mjaftueshëm për garuesit, por partiti më të mëdha parlamentare gëzonin avantazhe sistematike në shpërndarjen e mjeteve publike për fushatë, mbulim dhe reklamim në media, duke vënë në disavantazh dukshëm kandidatët e pavarur dhe ata nga partitë më të vogla.
 
"Mund të bëhet më shumë për t'i bërë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut më gjithëpërfshirëse, si të kandidatëve të pavarur ashtu edhe atyre që përfaqësojnë parti më të vogla. Përmirësimet në kuadrin zgjedhor mund të krijojnë një fushë më të barabartë loje duke adresuar pabarazitë sistematike në mundësitë e fushatës, si dhe duke u fokusuar në mënyrat e përmirësimit të pjesëmarrjes së grave në jetën politike", tha Ana de Zulueta, shefe e misionit të OSBE-ODIHR.
 
Shefja e Misionit të OSBE ODIHR thotë se RMV-ja ka nevojë për për një Kod tërësisht të ri zgjedhor, më të harmonizuar dhe më të thjeshtë.
Nga ODHIR bëjën të ditur se raporti  përfundimtar me rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor do të jetë i disponueshëm pas rreth dy muajsh. 
 
SANIJE DURAKU