Sulejmani: MASH-i nuk na ka konsultuar për reformat
Fakulteti Pedagogjik është anashkaluar gjatë hartimit dhe përpilimit të reformës nga MASH-i, me të cilën parashihet themelimi i Akademisë së Mësuesve dhe ndryshimet që studentët që përfundojnë Akademinë Pedagogjike nuk do të mund të punësohen nëse nuk kalojnë Akademinë e Arsimtarëve dhe nuk marrin licencë....

Sipas prodekanit, Emil Sulejmani, për këto ndryshime është dashur të konsultohet Fakulteti Pedagogjik, i cili është institucioni që prodhon kuadro të tilla.
“Jemi në njëfarë doze të revoltuar për shkak të mosinformimit dhe moskyçjes në hartimin dhe përpilimin e reformave, sepse ne jemi subjekti kryesor arsimor shkencor, i cili prodhon kuadro të arsimtarëve dhe edukatorëve në shtetin tonë”- deklaroi prodekani në Fakultetin Pedagogjik, Emil Sulejmani.
Në kuadër të Fakultetit Pedagogjik, sipas prodekanit Sulejmani do të formohet komision i cili do të rishqyrtojë propozimin e MASH-it.
“Ne si fakultet do të formojmë komision i cili do të rishqyrtojë propozimin e ministrit dhe pas analizës së detajuar të reformave të propozuara, do të dalim me kontribut shkencor lidhur me atë se a janë të pranuara apo duhet të revidohen disa pika, që kanë të bëjnë me reformat e Fakultetit Pedagogjik dhe Akademisë për Arsimtarë”- tha prodekani, Emil Sulejmani.
Nga ky fakultet bëjnë të ditur se në mbledhjen e sotme, Këshilli Arsimor Shkencor e refuzoi edhe vendimin e MASH-it për mbajtjen e provimit shtetëror për studentët dhe do të përkrahen studentët për mosimplementimin e kësaj reforme.
Ndërkohë, sipas ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademi, të gjitha këto propozim-ndryshime mbi arsimin fillor, të mesëm dhe atë të lartë janë të rëndësishme, pasi me këtë proces në të ardhmen e afërt do të krijohet një shoqëri e shëndoshë. (Flutura Latifi, TVM2)
