Maqedoni
“Sos Vita” apel për ndihmë personave me nevoja të veçanta
02.11.2021 13:43
Shoqata e Personave me Nevoja të Veçanta “Sos Vita” – Shkup, sot në Çarshinë e Vjetër...

Shoqata e Personave me Nevoja të Veçanta “Sos Vita” – Shkup, sot në Çarshinë e Vjetër ka filluar aksionin “Jeta është brenda nesh, ne jemi brenda jetës!”. Nga kjo shoqatë bëjnë apel që zëri i tyre të dëgjohet tek të gjitha institucionet kompetente. Aksioni ka të bëjë me mbledhjen e të hollave nga donatorët për t’iu blerë karroca ose një mjet transporti publik personave me nevoja të veçanta.
“Ne duam që çdo qytetari t’i tregojmë se jemi të veçantë dhe ka ardhur koha të ndihmohen personat me nevoja të veçanta. Ky aksion, të gjitha gjërat që do të mblidhen, të holla, do blihen karroca elektrike apo një transport publik për personat me nevoja të veçanta në komunën e Çairit. Ne çdo herë luftojmë për të drejtat tona dhe i thërras të gjitha institucionit të jenë afër nesh këtë muaj, që mos të na harrojnë ne.”,- tha Ertan Shakiri nga “Sos Vita” – Shkup.
“I bëjmë thirrje të gjithëve që mund të na ndihmojnë teksa ne përpiqemi të ndihmojmë personat me aftësi të kufizuara. Ne nuk i ndajmë kombet, ne nuk ndajmë fetë, ne i ndihmojmë të gjithë. Ne jemi anëtarë, kemi 150 persona në këtë shoqatë dhe dua që të gjithë të jenë të kënaqur. Prandaj apelojmë që të na ndihmojnë me financat që na duhen, që të gjithë të kenë karroca elektrike që të lëvizin nëpër qytet.”,- u shpreh anëtari “Sos Vita” – Shkup, Zhivkom Ilevski.
Aksioni do të zgjasë prej 1 nëntorit deri më 1 janar të vitit 2022.
SEDAT SELIMI
