Maqedoni

Tetovë, interes për dozën e tretë, por jo edhe për dozën e parë

02.11.2021 14:58

Vazhdon interesimi i lartë për vaksinim në Tetovë , por për dozën e tretë ku vërehet shtim i qytetarëve që kanë vendosur...

Vazhdon interesimi i lartë për vaksinim në Tetovë , por për dozën e tretë ku vërehet shtim i qytetarëve që kanë vendosur të rrisin imunitetin e tyre anti-Covid. Për dallim nga shifrat e personave që duan një dozë të tretë vaksine, është ulur numri i atyre që vendosin të marrin dozën e parë.
 
“Kemi ditët e fundit një ulje drastike të interesit të qytetarëve për vaksinim me dozën e parë, për dallim nga rritja e interesit te ata që marri dozën e tretë. Ata janë grupmosha mbi 60 vjeç, të sëmurët kronikë, e ata që kanë kaluar 3 muaj nga marrja e dozës së dytë me vaksinat kineze e 6 muaj nga vaksinimi me Astra Zeneka e Pfizer,  tani te ata kemi rritje të interesit e vijnë që në mëngjes për dozën e  tretë. Në një ditë për dozë të parë kemi afërsisht 50-100 pacientë, për dallim për dozën e tretë ku kemi nga 150-250 pacientë në ditë.”,- tha përgjegjësi në Qendrën e Vaksinimit – Tetovë, Besnik Mustafaj.
 
Ata që vaksinohen me dozën e tretë e që janë kryesisht moshat më të vjetra e të sëmurët kronikë, thonë se e gjithë lufta kundrë pandemisë është e kotë, nëse nuk vaksinohen më shumë njerëz. 
 
“Duhet ta marrin sepse kjo është sëmundje ngjitëse. Nëse disa vaksinohen e disa jo, kjo sërish ndikon për përhapjen e virusit te të shëndoshët. Mirë do ishte të vaksinohen të gjithë. Të isha unë në fuqi, si shtet e kisha bërë me detyrim.”,- u shpreh banori i Tetovës, Ymer Çaushi.
 
Në pikat e vaksinimit në Tetovë për momentin aplikohet vetëm vaksina Pfizer, e cila u jepet edhe atyre që marrin dozën e tretë, pa dallim se cilat vaksina i kanë aplikuar në dy dozat e para
 
VISAR SADIKI