Maqedoni
Vijon java e dytë e skriningut në shkolla. Sot nuk u evidentua raste pozitive
02.11.2021 15:15
Skriningu për detektimin e Kovid-19 vazhdon në shkollat fillore të vendit...

Me pëlqim paraprak prej prindërve u testuan nxënësit në shkollat fillore të Sopishtes, Studeniçanit, Batincës dhe nuk u evidentua asnjë rast pozitiv me Kovid-19.
Nxënësit e shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Studeniçan, potencuan se kanë mirëpritur testimin sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet shëndeti kolektiv në kuadër të shkollës.
“Testi kaloi mirë edhe pse pata pak dhimbje dhe unë mendoj se duhet të gjithë nxënësit të testohen që të mbrohemi nga virusi.”,- u shpreh një nxënës.
“Testimi kaloi shumë mirë, prindi më tha që mundem ta bëj testin, dhe të gjithë duhet të testohemi që të mbrojmë shëndetin tonë.”,- theksoi një nxënës.
Në këtë shkollë u testuan 66 nxënës me pëlqim paraprak prej prindërve të tyre, ndërsa nga drejtoria potencuan se skriningu duhet të praktikohet në vazhdimësi.
“Të gjithë nxënësit kanë qenë deri më tani negativ, nuk kemi ndonjë rast pozitiv, kishim dashur që të kemi numër më të madh të nxënësve që bëjnë testin jo me këtë numër 66 nxënës që kemi. Do të ishte më mirë diku një herë në muaj apo të paktën një herë në tre muaj të bëhet ky skrining.”,- deklaroi drejtori i Sh. F. “Naim Frashëri” – Studeniçan, Idriz Shabani.
Skriningu i realizuar deri më tani ka evidentuar vetëm një rast pozitiv në Kumanovë dhe i njëjti është izoluar nga epidemiologët.
Nga rezultatet e skriningut i cili do të zhvillohet deri më 10 nëntor, do të varet a do të ketë masa shtesë për mbrojtjen e shëndetit të nxënësve në shkollat e vendit.
FLUTURA LATIFI
