Maqedoni
Dorëheqja e kryeministrit, Zaev ende s’ka deponuar dorëheqjen në kuvend
02.11.2021 14:43
Në kuvend ende nuk është deponuar dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev...

Nga ligjvënësi shkurt informojnë se dorëheqja nuk është në parlament, pa dhënë komente shtesë për procedurat e mëtejme. Heshtje edhe në ekzekutiv të cilët nuk përgjigjen se kryeministri deri kur planifikon të dorëzojë dorëheqjen e tij të cilën e paralajmëroi pas humbjes në zgjedhjet lokale.
Jozyrtarisht mësohet se kreu i ekzekutivit Zaev s’do t’ia kalojë menjëherë dorëheqjen ligjdhënësit, por kjo mund të ndodh kah fundi i dhjetorit, pas mbajtjes së Samitit të Liderëve të BE-së, ku pritet të ketë vendim edhe për perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut.
Mbrëmë në qeveri, kreu i ekzekutivit ka realizuar takim me partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët kanë kundërshtuan dorëheqjen e ofruar dhe vazhdojnë të mbeten pjesë e qeverisë. Me këtë vihen në pikëpyetje zërat për ndryshime në shumicën qeverisëse.
Edhe opsioni për zgjedhje të parakohshme parlamentare është hedhur poshtë nga ata. Megjithatë jozyrtarisht mësohet se Zaev s’heq dorë nga largimi i ofruar dhe nga partnerët e koalicionit ka kërkuar caktimin e mandatarit të ri, më së voni të premten të dalin me propozime konkrete. Andaj edhe janë duke vijuar konsultimet e partive qeverisëse për emrin e ri të ekzekutivit.
Me deponimin e dorëheqjes para deputetëve, kryeparlamentari Talat Xhaferi ka për obligim që të informojë presidentin, Stevo Pendarovski, i cili mandatin do t’ia ndajë partisë apo partive që kanë shumicën dhe e njëjta të votohet në kuvend bashkë me programin qeverisës.
MERALE SIMAILI
