Maqedoni
Propozim buxheti për 2022, Besimi: Kemi planifikuar buxhet zhvillimor
02.11.2021 17:00
Shteti planifikon të marrë rreth 500 milionë euro hua vitin e ardhshëm për të mbuluar deficitin...

Shteti planifikon të marrë rreth 500 milionë euro hua vitin e ardhshëm për të mbuluar deficitin e planifikuar në Buxhetin e vitit 2022. Sipas ministrit të financave, Fatmir Besimi, deficiti buxhetor do të jetë 4,3% i BPV, ndërsa borxhi publik do të jetë 65,5% i BPV deri në fund të vitit.
“Me këtë ky buxhet arrin të mbaj epitetin e buxhetit zhvillimor si në aspektin teorik po ashtu edhe në atë praktik. Shpenzime, gjegjësisht të hyrat buxhetore paraqesin një rritje prej 7.4 për qind në krahasim me vitin e kaluar, kryesisht duke u bazuar në rritje të tatimeve, gjegjësisht të hyrave për 10 për qind si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik por edhe të kontributeve. Sa i përket shpenzimeve ato paraqesin rritje prej 1.4 për qind në nivel nominal.”,- deklaroi ministri i financave, Fatmir Besimi.
Përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve, kujdesi për shëndetit, rritja ekonomike, investimet dhe mbështetja e reformave në gjyqësorë si dhe integrimet euroatlantike do të jenë prioritetet e Qeverisë në Propozim buxhetin për vitin 2022, tha Besimi.
“Qëllimet kryesore për realizimin e buxhetit për vitin 2022 janë katër: Vazhdimi i kujdesit për mbrojtjen e popullsisë, Rimëkëmbja ekonomike dhe përshpejtimi i rritjes, rritja e investimeve, mbështetja e reformave në gjyqësor dhe integrimet euroatlantike.”,- theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.
Nga buxheti I ri për paga janë paraparë 531 milionë euro, ndërsa do të ketë rritje në shëndetësi për 5%, në gjyqësor 7%, në arsim 7%, në prokurori 15%, në kulturë dhe shërbimet inspektuese 10%. Besimi më tej shtoi se sipas planit për rritje të përshpejtuar ekonomike, për investime janë paraparë 4 miliardë euro nga sektori publik dhe 8 miliardë euro shtesë kapital privat në 5 vitet e ardhshme.
ZEKIRJA MEXHITI
