Maqedoni
Zgjedhjet lokale, KShZ: Pranuam 7 ankesa nga TMRO, 6 nga LSDM
02.11.2021 17:46
Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve janë parashtruar shtatë ankesa nga partia politike TMRO...

Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve janë parashtruar shtatë ankesa nga partia politike TMRO. Siç informojnë nga KShZ, ankesat kanë të bëjnë me procedurën për grumbullimin dhe konfirmimin e rezultateve në disa vendvotime në komunën Nagoriçan i Vjetër.
Në KSHZ gjithashtu janë parashtruar edhe 6 ankesa nga Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, për procedurën e votimit, gjegjësisht procedurën e përmbledhjes dhe konstatimit të rezultateve në disa vendvotime në komunën e Shuto Orizarit, Konçes dhe Koçanit.
“Sipas paragrafit të tretë të nenit 148 të Kodit Zgjedhorë, KShZ në afat prej 72 orëve duke llogaritur momentin e pranimit të ankesës merr vendim meritorë duke i shqyrtuar të gjitha faktet të cilat janë të deponuara me ankesën në qoftë se ka dhe nëse eventualisht parashtruesi i ankesës nuk është i kënaqur me vendimin e KShZ-së atëherë ka të drejtë që në afat prej 24 orësh nga momenti i pranimit të vendimit të bëjë padi deri te Gjykata Administrative e cila gjithashtu në afat të caktuar vendos në lidhje me padinë e parashtruesit.”,- deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
Afati për parashtrimin e ankesave për rrethin e dytë zgjedhor lidhur me procedurën e votimit zgjatë 48 orë nga mbyllja e kutive të zgjedhjeve e që i bie të skadojë të martën në ora 19-të, ndërkohë edhe afati për ankesa lidhur me grumbullimin dhe verifikimin e rezultateve zgjatë 48 orë nga shpallja fillestare e rezultateve nga KShZ dhe skadon ditën e mërkurë në orën14 njoftojnë nga KShZ.
SANIJE DURAKU
