Botë
OKB paralajmëron: Kanë mbetur edhe tetë vjet për të shpëtuar tokën
03.11.2021 11:38
Tetë vjet. Thirrje zgjimi me zë të lartë. Ora po troket me zë të lartë...

Tetë vjet. Thirrje zgjimi me zë të lartë. Ora po troket me zë të lartë. Këto janë tre fjalë kyçe nga raporti i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, i publikuar përpara samitit COP26 në Glasgow.
Bota po përballet me një rritje të temperaturës globale prej të paktën 2.7 gradë Celsius nëse vendet i përmbahen planeve të tyre aktuale për të luftuar ndryshimet klimatike. Raporti mbi emetimet e dëmshme për vitin 2021 thotë se premtimet e reja kombëtare për klimën, të kombinuara me masa të tjera zbutëse, e vendosin botën në rrugën e rritjes së temperaturave deri në fund të shekullit, gjë që është dukshëm mbi objektivat e Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Nëse kjo do të ndodhte, do të çonte në ndryshime katastrofike klimatike në Tokë.
Për të mbajtur ngrohjen globale nën 1.5 gradë Celsius në shekullin e 21-të, që është qëllimi aspirativ i Marrëveshjes së Parisit, bota duhet të përgjysmojë emetimet e saj vjetore të gazeve serrë gjatë tetë viteve të ardhshme. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se raporti ishte një thirrje me zë të lartë për të zgjuar liderët botërorë, ndërsa ekspertët në këtë fushë kërkuan veprime drastike kundër kompanive që përdorin lëndë djegëse fosile. Në Samitin e OKB-së për Klimën në Glasgow, liderët botërorë u zotuan të ndalojnë shpyllëzimin deri në vitin 2030. Kjo marrëveshje dhe premtimet e liderëve botërorë përfshijnë ndarjen e pothuajse 19.2 miliardë dollarëve të fondeve publike dhe private.
