Botë

Samiti i Klimës në Glasgou, Biden kritikon Kinën e Rusinë për mospjesëmarrjen

03.11.2021 13:45

Presidenti amerikan, Joe Biden, kritikoi liderët kinezë dhe rusë për mungesën në samitin e klimës, Cop26...

Presidenti amerikan, Joe Biden, kritikoi liderët kinezë dhe rusë për mungesën në samitin e klimës, Cop26. Biden tha se Moska nuk është e gatshme të merret me "problemet e saj serioze klimatike" ndërsa "tundra" e presidentit Vladimir Putin "digjet". 
 
“Mendoj se ishte një gabim i madh, sinqerisht, për Kinën, në lidhje me mos paraqitjen në samit. Ata kanë humbur aftësinë për të ndikuar te njerëzit në mbarë botën dhe të gjithë njerëzit këtu. Në të njëjtën mënyrë, unë do të argumentoja në lidhje me Rusinë.",- tha presidenti i ShBA-ve, Joe Biden.
 
Kremlini nuk pajtohet me pretendimin e Bidenit se Rusia nuk bën asgjë për klimën.
 
"Tundra me të vërtetë po digjet, por të mos harrojmë se pyjet po digjen në Kaliforni, pyjet po digjen si në Turqi ashtu edhe në vende të tjera të botës. Këto janë pikërisht pasojat e ndryshimeve klimatike me të cilat po përballemi. Ne nuk pajtohemi se  Rusia nuk bën asgjë për klimën..Jam i sigurt se kur të dy presidentët të kontaktojnë përsëri ,  besoj se presidenti Putin do të ketë një mundësi për të informuar Bidenin çfarë kemi bërë në lidhje me klimën.”,- theksoi zëdhënësi i Kremlin, Dimitry Peskov.
 
Kina është emetuesi më i madh i dioksidit të karbonit në botë, e ndjekur nga SHBA-ja. Rusia pozicionohet në vend të pestë. Mbi 120 krerë shtetesh e qeverish u dakorduan  mbi marrëveshje të rëndësishme, si ajo e reduktimit me 30 për qind të niveleve të metanit në 2030 dhe dhënien fund të shpyllëzimit në po të njëjtin vit. Por me gjithë lajmet e mira aktivistë të klimës paralajmërojnë se veprimet mund të mos jenë të mjaftueshme për të kufizuar ngrohjen globale nën 1.5 gradë celsius. 
 
GAZMEND REXHEPI