Mjegulla shkaktoi vështirësi në komunikacion
Erdhën ditët e mjegullës në Maqedoni. Prej ditës së djeshme, shumë qytete të ndryshme në vend janë përfshirë nga sasia e madhe e mjegullës, e cila më së shumti kaploi vendin gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit....

Ndonëse trafiku rrugor po zhvillohet nëpër rrugë të thata, mjegulla e madhe zvogëlon pamjen në komunikacion.
Për shkak të mjegullës së dendur dhe kushteve te vështira atmosferike, në Shkup u përplasën 18 vetura njëra pas tjetrës. Aksidenti në zinxhir ndodhi në hyrje të Shkupit, por fatmirësisht ai kaloi pa viktima, me lëndime të vogla trupore tek disa prej drejtuesve të makinave. Pas analizave të kryera në spital, të gjithë të lënduarit janë lëshuar në mjekim shtëpiak, ndërsa dëmi material është i konsiderueshëm nga ky aksident. Edhe komunikacioni ajror në Maqedoni u përball me probleme të mëdha.
Për shkak të mjegullës, kompania turke “TAV-Maqedoni” vendosi që prej sonte në orës 20 deri të nesërmen në 8, të anulojë të gjitha aterimet dhe fluturimet në aeroportin “Aleksnadri i Madhë” në Shkup dhe “Apostol Pavle” në Ohër. Nuk ka kushte për kryerjen e fluturimeve, thonë nga kjo kompani.
"Prej natës së kaluar, kemi ndryshuar kahjen e 3 fluturimeve dhe 11 fluturime të tjera janë anuluar. Shpresojmë se kjo situatë e krijuar nga mjegulla do të përmirësohet dhe se shumë shpejt e njëjta do të tejkalohet. Ne u bëjmë thirrje të gjithë pasagjerëve, të cilët kanë për të udhëtuar, që të paraqiten në aeroportin e Shkupit për të rregulluar të drejtën e tyre për fluturim, gjegjësisht të marrin informacione se në çfarë mënyre kompanitë ajrore do ta sigurojnë fluturimin”- deklaroi Pero Llupevski nga “TAV-Maqedoni”.
Shumica e pasagjerëve të cilët patën për të udhëtuar sot, u kthyen në shtëpi, sepse shumë aeroplanë nuk ateruan fare në Maqedoni.
“Jemi duke pritur gati një orë në aeroport, na thanë se shumë shpejt do të na informojnë se prej cilit aeroport do të kryhet fluturimi ynë”- u shpreh një pasagjer.
“Asgjë nuk dihet, aeroplani gati dy orë është vonuar. Derisa nuk ateron i njëjti, ne nuk do të mund të dimë se kur do të realizohet fluturimi ynë”- tha një pasagjer.
Prania e madhe e mjegullës do të mbizotërojë edhe gjatë 48 orëve të ardhshme, paralajmërojnë sinoptikanët për TVM-2. Pjesët luginore do të jenë ata të cilët do të kaplohen më së shumti nga mjegulla. Largimi i mjegullës mund të pritet gjatë ditës së enjte.
“Gjatë ditës së nesërme dhe gjatë orëve të mëngjesit akoma në vendin tonë do të kemi prani të e madhe të mjegullës, sidomos nëpër lugina. Po ashtu, në ditët në vijim, Maqedonia do të kaplohet me një ndryshim të vogël të motit, veçanërisht me vranësira dhe reshje shiu me një intensitet të vogël”- deklaroi sinoptikani, Boris Sekirarski.
Megjithatë temperaturat e mëngjesit në vend do të lëvizin prej minus 3 deri më 14 gradë gjatë ditës. Reshje të dëborës nëpër zonat luginore nuk do të lajmërohen gjatë kësaj jave. (Rexhep Qamili, TVM2)
