Maqedoni
Dorëheqja e Zaevit, Selimi: E nxituar, s’na duhen turbulenca politike kontesti me Sofjen
03.11.2021 16:27
Paralajmërimi për dorëheqje nga ana e kryeministrit Zaev dhe kriza e krijuar politike...

Paralajmërimi për dorëheqje nga ana e kryeministrit Zaev dhe kriza e krijuar politike, ishin kryetemë në Argument në TVM2. Sefer Selimi vlerëson se dorëheqja ishte vendim i nxituar sidomos në një kohë kur vendin e presin zhvillime të rëndësishme në rrafshin integrues dhe nuk nevojiten turbulenca politike.
“Një veprim i ngutshëm nga ana e tij, duke vendosur kështu në pikëpyetje jo vetëm stabilitetin e qeverisë dhe vazhdimin e çështjeve të cilat janë me interes strategjik për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, por në veçanti edhe të shqiptarëve.”,- tha analisti, Sefer Selimi.
Luma: Mund ta zgjidhë edhe një qeveri e zgjeruar
Por analisti, Ilir Luma, thotë se një qeveri e zgjeruar, do të mund të zgjidhte problemet me Sofjen zyrtare.
“Të bëhet një qeveri e zgjeruar dhe pa me dal në zgjedhje të parakohshme të tejkalohen problemet me të cilat ballafaqohet Maqedonia, pikërisht tash shumë më aktuale është problem me Bullgarinë, ku pala bullgare gjithsesi kërkon që të futet të Kushtetutë edhe pakica bullgare.”,- theksoi analisti, Ilir Luma.
Avdiu: “Besa” jo në qeveri me VMRO-DPMNE-në e “Të majtën”
Faruk Avdiu nga Lëvizja “Besa” thotë se nuk do të hynin kurrë në një koalicion për shumicë parlamentare me VMRO-në dhe të Majtën.
“Është një aventurë, një rrezik shumë i madh, një enigmë shumë e madhe në rast se ne do ta ndërrojmë formatin, do ta heqim LSDM-në prej pushtetin dhe do ta sjellim një VMRO të pareformuar, sidomos duke ia bashkangjitur edhe rrezikun që frena e dorës të jetë “E majta””,- u shpreh Faruk Avdiu nga Lëvizja “Besa”.
Përfaqësuesi i Lëvizjes “Besa”, këmbëngul se qeveria aktuale e ka legjitimitetin për të udhëhequr me vendin dhe çdo variant tjetër është i dëmshëm.
ERSAN PAJAZITI
