Maqedoni

Paralajmërimi për dorëheqjen e Zaevit, Zekiri: Vështirë se mund të ndryshojë mendje

03.11.2021 16:41

Kryeministri, Zoran Zaev, ende nuk ka dorëzuar në Kuvend dorëheqjen e tij të paralajmëruar më 31 tetor...

Kryeministri, Zoran Zaev, ende nuk ka dorëzuar në Kuvend dorëheqjen e tij të paralajmëruar më 31 tetor. Eksponentë partiak dhe qeveritarë, thonë se Zaev është i vendosur në këtë përcaktim dhe se dorëheqja mund të dorëzohet brenda pak ditësh.        
 
Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, anëtar i Këshillit Qëndror të LSDM-së, Muhamed Zekiri, thotë se pavarësisht kundërshtimeve të partnerëve të koalicionit, Zoran Zaev vështirë se do ta rimendojë dorëheqjen nga pozita e kryeministrit.
 
“Pritet që brenda disa ditësh të qartësohen të gjitha gjërat dhe të bëhet dorëzimi në Kuvend i dorëheqjes së Zaevit nga posti i të parit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.”- ka deklaruar Zekiri për TV Klan - Kosovë.
 
Zekiri thotë se përveç partnerëve të koalicionit ka edhe miq ndërkombëtarë që tentojnë ta bindin Zaevin që të ndërrojë mendje dhe të mos dorëhiqet por sipas tij, Zaev është i zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve lokale dhe nga procesi i hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe duket i vendosur në këtë hap. 
 
Vanhojt: Vendim i shpejtuar dhe hap i gabuar
 
Një ndër miqtë evropian që konsideron se dorëheqja është vendim i shpejtuar dhe hap i gabuar është edhe ish-ndërmjetësuesi i BE-së për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni që kontribuoi në arritjen e Marrëveshjes së Përzhinos, Peter Vanhojt, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook ka folur për dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev. 
 
“Ndonëse e kuptoj mjaft mirë, më duket shumë e çuditshme që një kryeministër të vendosë të japë dorëheqjen për shkak të rezultatit zhgënjyes të zgjedhjeve lokale. Në parim, këto janë dy nivele të ndara qartësisht të qeverisjes. Rezultatet e zgjedhjeve në një nivel nuk duhet të kenë ndikim në nivelin tjetër. Si kryeministër, ju nuk duhet të vendosni kurrë të jepni dorëheqje nëse partnerët tuaj të koalicionit nuk janë dakord me të, si dhe me hapat e ardhshëm, domethënë kush do t’ju zëvendësojë si kryeministër.”- shkruan Vanhojt.
 
Paralajmërimi i beftë për dorëheqje nga posti i kryeministrit, është kundërshtuar nga partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët kërkojnë zbatimin e marrëveshjes për qeverisje katërvjeçare.   
 
SHPËTIM NUREDINI