Maqedoni
LSDM: Jo zgjedhje të parakohshme parlamentare
03.11.2021 17:51
Shumica parlamentare nuk do të votojë për zgjedhje të parakohshme, informon LSDM...

Shumica parlamentare nuk do të votojë për zgjedhje të parakohshme, informon LSDM, duke vlerësuar se paralajmërimet për shumicë të re parlamentare nga lideri i VMRO-DPMN-së, Hristijan Mickoski, janë të parealizueshme. LSDM potencon se shumica aktuale parlamentare është stabile dhe përgjegjëse ndaj të ardhmes së shtetit dhe popullit.
“Partitë e koalicionit qeveritar në listat e këshilltarëve në këto zgjedhje fituan mbi 419.180 vota, 19.090 më shumë se votat e partive të opozitës. Shprehur në mandate të fituara të këshilltarëve, LSDM dhe Koalicioni Qeveritar kanë 664 pozita këshilltarësh, që është 61 më shumë se vendet e këshilltarëve që i ka fituar VMRO-DPMNE dhe opozita. Hristian Mickoski nuk mund të bëjë shumicë parlamentare, pasi ka plane të rrezikshme për shtetin. Në emër të votave të qytetarëve që i ka Koalicioni Qeveritar e që janë më shumë se votat e opozitës, vendi duhet të vazhdojë përpara në emër të nevojës në zgjidhjen e pasojave të pandemisë dhe në përballjen me krizën energjetike, në emër të nevojës që t’i investojmë të gjitha angazhimet për t’i filluar negociatat me BE-në. Kjo shumicë parlamentare nuk do ta vë shtetin në rrezik dhe nuk do të votojë për zgjedhje parlamentare të parakohshme dhe të shpejta.”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së pas konferencës për shtyp të Mickoskit, që kërkoi zgjedhje të shpejta të parakohshme.
LSDM thotë se shteti është shumë më i rëndësishëm se inati i Mickoskit dhe dëshira e tij për pushtet.
SANIJE DURAKU
