Botë

Emetimi i karbonit, shkencëtarët: Në nivelet e para të pandemisë

04.11.2021 09:29

Në vitin 2021, nivelet e emetimit të dioksidit të karbonit (CO2) në botë janë kthyer në ato që ishin para pandemisë...

Në vitin 2021, nivelet e emetimit të dioksidit të karbonit (CO2) në botë janë kthyer në ato që ishin para pandemisë, sipas një studimi të publikuar më 4 nëntor. Të dhënat u bënë publike nga konsorciumi “Global Carbon Project”, një grup shkencëtarësh që hulumtojnë ndryshimet klimatike.
 
Raporti u bë publik në konferencën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që po mbahet në Glasgou të Skocisë. Në vitin 2020, sipas shkencëtarëve, emetimet e CO2 ranë me një rekord prej 1.9 miliardë tonësh, apo 5.4 për qind pasi vendet vendosën masa të izolimit. Ajri më i pastër në shumë prej qyteteve të mëdha rriti shpresat se bota ishte në rrugë të duhur për reduktimin e ndotjes nga karboni.
 
Por, shkencëtarët thonë se nuk ishte kështu. Raporti parashikon që emetimet e vitit 2021 do të tregojnë një rritje prej 4.9 për qind. Qëllimi i konferencës për klimën që po mbahet në Glasgou është që të gjejë mënyra për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale dhe për të shmangur efektet katastrofike të ndryshimeve klimatike.
 
Për ta bërë këtë, shkencëtarët thonë se emetimet e CO2 duhet të arrijnë zero deri në vitin 2050. Raporti theksoi një rritje në emetimet e karbonit që bënë Kina, duke thënë se ky vend, këtë vit, do të përfshijë gati një të tretën e prodhimin të dioksidit të karbonit në nivel global. Shifrat bazohen në të dhënat nga qeveritë për përdorimin e energjisë, udhëtimin, prodhimin industrial dhe faktorë të tjerë.