Maqedoni

Shkup, takim ministror i iniciativës rajonale SEDM

04.11.2021 13:39

Shkupi për tre ditë me radhë do të jetë nikoqir i nismës SEDM, ku po marrin pjesë ministra dhe përfaqësues...

Shkupi për tre ditë me radhë do të jetë nikoqir i nismës SEDM, ku po marrin pjesë ministra dhe përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të vendeve anëtare. Sfidat kryesore të sigurisë me të cilat përballen vendet e rajonit të Evropës Juglindore, pandemia, problemet globale, lajmet e rreme dhe vërshimet, janë vetëm disa nga temat e kësaj nisme. 
 
Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerisnka, në fillim të takimit theksoi se rajonit i duhet bashkëpunimi institucional dhe krijimi i mirëbesimit.
 
“Pas një maratone 30 vjeçare me plot sfida, dëshpërime por edhe me reforma thelbësore anëtarësimi në NATO ishte suksesi i kësaj gjenerate që premtimet i shndërroi në vepra. Dëshmuam se kemi dituri, përvojë dhe kapacitet për vendime strategjike, dëshmuam se fjala jonë vlen dhe forcën tonë e rritëm si shtet për shkak të kapacitetit të ndërtojmë aleanca. Por anëtarësimi në NATO nuk na ka treguar se ne duhet të defokusohemi nga përforcimi i marrëdhënieve me fqinjët tanë, dhe ky takim është tregues se RMV është e interesuar që të ndërton miqësi, t’i përforcojmë jo vetëm kontaktet personale por t’i forcojmë edhe lidhjet institucionale dhe mirëbesimin mes nesh.”,- theksoi ministri i mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. 
                                                                             
Qëllimi kryesor i kësaj nisme sipas kryesuesit, Plamen Jordanov, është promovimi i stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore përmes zhvillimit të bashkëpunimit ushtarako-politik. Një nga projektet më të rëndësishme të SEDM është Brigada e Evropës Juglindore - SEEBRIG komanda e së cilës deri në vitin 2026 ndodhet në Maqedoninë e Veriut.  
 
“Besoj se mund të pajtohemi se duhet të punojmë edhe më shumë në këto momente të rënda në Covid-19, me qëllim që të ndërtojmë një unitet më të forcuar në mes vendeve të Europës Juglindore. Edhe pse pandemia nuk ka kaluar mund të vërtetojmë se armata po luan rolin kyç në kohën e pandemisë. Kjo pandemi na ka mësuar se duhet të jemi më solidar, prandaj është me rëndësi të njësohemi para se të jemi të nevojshëm njëri ndaj tjetrit.”,- tha kryesuesi i SEDM, Plamen Jordanov. 
 
Nisma SEDM, e themeluar në vitin 1996, nga 15 anëtarë, ku krahas Maqedonisë së Veriut bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia, Ukraina dhe SHBA-ja, ndërsa Moldavia është vend vëzhgues.
 
Qëllimi themelor i iniciativës është avancimi i stabilitetit dhe sigurisë në Evropës Juglindore përmes zhvillimit të bashkëpunimit ushtarako – politik.
 
FITIM KRYEZIU