Maqedoni
Gripi sezonal, prej sot aplikimi për vaksinimin
04.11.2021 14:05
Qytetarët e interesuar për vaksinim kundër gripit sezonal mund të aplikojnë nëpërmjet faqes vkacinacija.mk...

Me këtë ata regjistrohen për imunizimin direkt në sistemin ”Termini im”dhe sipas orarit të parashikuar në planin e vaksinimit, me SMS do të informohen për datën dhe orën e saktë se kur duhet të vaksinohen në punktin që do të zgjedhin gjatë regjistrimit.
Ministria e Shëndetësisë edhe për këtë vit ka siguruar 40 mijë doza të katër lloje vaksinash kundër gripit sezonal. Për të tretin vit radhazi, vaksina është falas për të moshuarit (mbi 65 vjeç), personat me sëmundje kronike, punëtorët shëndetësisë, gratë shtatzëna dhe fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç.
“Shpresoj se një pjesë e atyre vaksinave do të shpërndahen nëpër qendrat shëndetësore në vend dhe një pjesë në qytetin e Shkupit, varësisht nga nevoja që do të aplikojnë qytetarët, dhe ne jemi të gatshëm për vaksinimin e rregullt. Vitin e kaluar i kemi shpenzuar të gjitha dozat e vaksinave kundër gripit sezonal, shpresoj që këtë vit të kemi interesim të shtuar nga qytetarët dhe vetë OBSh rekomandon që pavarësisht vaksinimit për Kovid19 të vaksinohemi edhe kundër gripit sezonal.”,- tha drejtori i Shtëpisë Shëndetësore - Shkup Dr. Viktor Isjanovski.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se për shkak të rritjes së kërkesës për vaksina kundër gripit në nivel global, po bëhen përpjekje që sasitë e vaksinave të arrijnë sa më shpejt.
Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se nuk është vonë që qytetarët të vaksinohen kundër gripit në nëntor apo dhjetor, pasi sipas të dhënave epidemiologjike, kjo sëmundje në dhjetë stinët e fundit arrin kulmin në fund të muajit shkurt.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se edhe pse vaksinimi për gripin sezonal nuk mbron nga Covid-19, ai është shumë i rëndësishëm në kushtet e pandemisë dhe ndikimit në sistemin shëndetësor.
SEDAT SELIMI
