Maqedoni
Anti-korrupsioni, debat lidhur me ambientin jetësor dhe mbeturinat
04.11.2021 15:08
Planet dhe strategjitë e institucioneve për mbrojtjen e ambientit jetësor nuk mungojnë...

Planet dhe strategjitë e institucioneve për mbrojtjen e ambientit jetësor nuk mungojnë, por ngec zbatimi i tyre, prandaj përballemi me ambient të papastër dhe ajër të ndotur. Kjo u theksua në debatin me temë “Gjendja e ambientit jetësor-menaxhimi me mbeturinat”, që u organizua nga Komisioni Anti-korrupsion.
Sektori i ambientit jetësor është prioritar në luftën kundër korrupsionit, ndërsa ndërmarrjet komunale janë joefikase në grumbullimin e mbeturinave, thonë nga Komisioni Anti-korrupsion.
“Problem akut me të cilin përballet sektori i ambientit jetësor është mos-implementimi i përpiktë i Ligjit për Menaxhim me Mbeturina në pjesën e menaxhimit të integruar rajonal me mbeturinat. Komisioni Shtetëror ka konstatuar se ndërmarrjet komunale kryesisht janë në gjendje jo të mirë dhe joefikase në menaxhimin me mbeturinat.”,- tha kryetarja e Komisionit Anti-korrupsion, Biljana Ivanovska.
Rregullat janë të qarta sa i përket menaxhimit me mbeturinat, thotë ministri i ambientit, Naser Nuredini.
“Në pjesën e menaxhimit me mbeturina janë vendosur rregulla të ashpra për transportin e mbeturinave janë rritur dënimet dhe parashihen masa më të ashpra të kontrollit të subjekteve që menaxhojnë me mbeturinat, por edhe vet krijuesve të mbeturinave.”,- u shpreh ministri i ambientit, Naser Nuredini.
Sfida më e madhe e inspektoratit shtetëror të ambientit jetësor ka qenë mbyllja e 53 deponive jo standarde dhe 16 pikave me mbeturina të rrezikshme industriale. Por, inspektorati ankohet për mungesë mjetesh.
“Inspektorati Shtetëror i Ambientit Jetësor në dhjetor të këtij viti do të shënojë 25 vite nga ekzistimi i tij, përballet me disa sfida sidomos nga aspekti i resurseve të pa mjaftueshme për inspektim dhe përkrahje administrative.”,- tha Sretan Stojkovski nga Inspektorati i Ambientit Jetësor.
Nga Ndërmarrja Higjiena Komunale thonë se mirëmbajnë 6 milion kilometra katrorë në kryeqendër, duke shtuar se kanë territor të caktuar që duhet ta mirëmbajnë.
GYLTENE SINANI
