Beograd, takim i nismës “Ballkani i hapur”

04.11.2021 17:15

"Ballkani i Hapur vazhdon të jetë një nismë...

"Ballkani i Hapur" vazhdon të jetë një nismë  që synon lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve  në kufijtë e rajonit, thanë njëzëri përfaqësuesit e RMV-së, Shqipërisë dhe Serbisë gjatë takimit në Beograd.

Edhe pse Maqedonia gjendet në krizë politike, nuk do t’i ndahet projekteve të këtilla, tha zëvendëskryeministri, Nikolla Dimitrov.

Rritja ekonomike dhe stabiliteti që prodhon kjo nismë ndihmojnë edhe integrimin evropian tha Dimitrov, duke shtuar se vonesat e BE-së, nuk ndalin bashkëpunimet brenda Ballkanit. Të bindet BE se nuk jemi importues të problemeve, tha Dimitorv.

“Gjendemi në një situatë mjaft komplekse, megjithatë kjo nismë është mjaft e rëndësishme kështu që nuk mund t'ia lejomë vetes që të mungojmë në këto takime. I vetmi vizion afatgjatë për një Ballkan të qëndrueshëm dhe fitimtarë është ai ku kufijtë janë më pak të rëndësishëm. “Ballkani i Hapur” është  një hap i shkëlqyer drejt vizionit evropian të Ballkanit pa kufi. Ne duhet të kujdesemi për njëri tjetrin.”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Nikolla Dimitrov.

Derisa BE është e zhytur në dilema për zgjerim , ne do ti ndërtojmë standardet evropiane mes vetë, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Duhet thithur investimet e huaja, siç bën Serbia, tha Rama.

“Duke e kuptuar fare mirë situatën në BE me bllokimin që i është bërë procesit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë,  në ndërkohë  nënvizojmë se ne nuk kemi asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar në vendet tona vende me standard evropian dhe nga ana tjetër kemi bindjen se BE është e zhytur në dilemat e veta, peng i tyre ka rënë edhe integrimi rajonal i rajonit.”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Iniciativa përjashton çdo mundësi për të ndërhyrë në punët e brendshme mes shteteve, por vetëm mundëson jetë më të mirë për shtetasit e tri vendeve, tha kryeministri serb, Aleksadar Vuçiq.

“Duam që qytetarët tanë  vitin e ardhshëm pa kurrfarë kufijsh të shkojnë nga Beogradi në Tiranë, nga Beogradi në Shkup. Me këtë përforcojmë ekonomitë tona. Nuk hyjmë  në punët e brendshëm politike të shteteve. Vetëm mundësojmë jetë më të mirë për qytetarët, biznesin dhe afarizmin.”,- deklaroi kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Edhe ky takim e gjeti iniciativën e Ballkanit të Hapur pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Kryeministri Rama dhe presidenti Vuçiq patën përgjigje për mungesën e tyre.

“Për të gjithë ata që bëjnë sikur nuk kuptojë, ose nuk duan ta kuptojnë ose edhe nuk e kuptojnë që Ballkani i Hapur është i hapur, gjithëpërfshirës, nuk është vetëm i RMV-së Shqipërisë  dhe Serbisë, por as Shqipëria as Serbia as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpjet, nuk do presin që të binden të gjithë të tjerët.”,- u shpreh Rama.

“I kemi hapur dyert Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës. Kemi mjaft shqetësime të tjera që të justifikojmë gjithçka në çdo kohë. Ndodh që më e lehtë është të marrësh pikë politike duke urryer dikë. Do zgjidhim problemet me Prishtinën përmes dialogut në Bruksel sepse kemi mendime jo të njëjta. Kush do të bëhet pjesë do të jetë i mirëpritur, kush nuk do është punë e tij.”,- theksoi Vuqiq.

Takimi i radhës  do të jetë në dhjetor në Tiran, ndërsa përfaqësuesit e tri shteteve shijimin e përfitimeve  të nismës i premtojnë në janar, pasi është rënë  dakord që kontrollet kufitare ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen nga 1 janari i vitit 2023, duke planifikuar kështu gradualisht të krijohet një treg i përbashkët prej 12 milionë banorësh. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)