Maqedoni

Respektimi i masave anti covid në Strugë, inspektorati i tregut do të shtojë kontrollet

05.11.2021 13:50

Inspektorati i Tregut në Strugë ka shqiptuar 59 masa kundërvajtëse nga 3000 kontrolle...

Inspektorati i Tregut në Strugë ka shqiptuar 59 masa kundërvajtëse nga 3000 kontrolle të bëra në dy muajt e fundit lidhur me zbatimin e rekomandimeve për mbrojtje nga virusi korona . Njofton shtim të kontrolleve edhe në periudhën pas lehtësimit të masave dhe lejimit të dasmave e grumbullimeve të më shumë njerëzve. 
 
“Me masat e reja të 27 tetorit, që lejohen dasmat, fejesat, ditëlindjet, mendoj se do të kemi shumë punë dhe do të jemi më shumë prezent në teren”, u shpreh drejtori i inspektoratit të tregut në Strugë, Shpendi Iljazi.
 
Shumica e gjobave në Strugë i referohen mosrespektimit të Ligjit për mbrojtjen nga duhani dhe Ligjit për tregti. Qytetarët shpesh bëjnë ankesa tek inspektorët e tregut për mallra dhe produkte teknike me defekt.
 
“Mund të themi se nuk ka shkelje në hotelieri, por më shumë kemi shkelje në tregti, hotelieri, për ndalesën e duhanit, ndërsa masat kundër covid 19 respektohen në Strugë. Ankesa kemi më tepër në përputhje me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, dmth prishjet e telefefonave në garancion, të makinave për larjen e teshave etj”, theksoi Iljazi.
 
Hotelierët thonë se u kërkojnë njerëzve çertifikatat, por nuk kanë autoritet dhe as nuk mund të përcaktojnë se cilat prej tyre janë të falsifikuara dhe nëse i përkasin personalisht personave që vizitojnë ambientet, sepse nuk u lejohet të kërkojnë kartat e identitetit.
 
Dokumentet e identifikimit nuk duhet të kërkohen as nga inspektori i tregut, këtë të drejtë e ka vetëm policia. Për mosrespektim të protokolleve, gjobat arrijnë deri në 7000 euro dhe vendim për ndalim të punës. Vitin e kaluar, inspektorët e tregut në Strugë kanë paraqitur 36 kallëzime penale kundër hotelierëve të cilët nuk kanë respektuar protokollet.
 
ILMIJE ZHAKU