Dorëheqja e Kryeministrit, Mariçiq: Prioritet ruajtja e shumicës parlamentare

05.11.2021 17:00

Vazhdon të mbetet enigmë pasardhësi i kryeministrit Zaev...

Vazhdon të mbetet enigmë pasardhësi i kryeministrit Zaev. Nga LSDM thonë se janë duke vazhduar konsultimet me partnerët e koalicionit për propozimin e mandatarit të ri të qeverisë.

Lidhur me zërat se javën që vjen do të dilet me mandatar të ri, ku përmendet emri i ministrit të drejtësisë Bojan  Mariçiq, vetë ai e përgënjeshtron ardhjen në krye të ekzekutivit duke theksuar se prioritet kanë ruajtjen e shumicës parlamentare.

“Mund t’iu them se është një spekulim, as që kam biseduar, as që më ka pyetur dikush, ashtuqë në këtë moment përpos që ta cilësojë si spekulim nuk mund të them gjë tjetër.Presim javën që vjen veçmë të dalim me plan konkret, pasiqë kjo është e rëndësishme si për qytetarët por edhe shtetin. Ne kemi prioritet që të ruhet shumica parlamentare pasiqë ky është vullnet i gjithë partnerëve të koalicionit dhe gjithsesi të gjejmë formulën më të mirë se si të vazhdojë të funksionojë qeveria në këtë moment.” – tha ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq.

Ahmeti: Partnerët e koalicionit kundër dorëheqjes

Edhe kryetari Kryetari i BDI –së Ali Ahmeti hesht për emrin e mandatarit të ri, duke theksuar se dorëheqja e kryeministrit Zaev nuk është mirëpritur jo vetëm nga partnerët e koalicionit por edhe faktori ndërkombëtarë.

“Unë nuk dua të flas tani për situata hipotetike, sepse çdo zgjidhje tjetër do të hapte kutinë e pandorës. Unë nuk jam për akrobacione tani në këto momente kaq të rëndësishme për zhvillimet dhe proceset që ndodhin në vend. Arsyeja e z. Zaev është se ai tashmë e ka bërë dhe nuk mund të tërhiqet sepse ka të bëjë me dinjitetin e tij, por përballë dinjitetit ai ka mospajtueshmëri edhe nga të gjithë partnerët e koalicionit por edhe nga të gjithë komuniteti ndërkombëtar, në veçanti, Brukseli, Uashtingoni dhe NATO, të cilët presin që shteti të përparojë në drejtim të zbatimit të politikave qeveritare” – tha Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Nga VMRO - DPMNE sërisht me qëndrimin se humbja në zgjedhjet lokale flet se shumica e qytetarëve kërkojnë ndryshime. Zaev duhet ta dorëzojë dorëheqjen dhe menjëherë pas kësaj të organizohen edhe zgjedhje të shpejta parlamentare për ta vënë shtetin në rrugën drejt eurointegrimeve. (Meral Ismaili, TVM2)