Arianit Hoxha: BESA mund të mbetet në Qeveri, unë ministër jo

05.11.2021 18:30

Lëvizja “ BESA” nuk ka qëndrim konkret....

Lëvizja “ BESA” nuk ka qëndrim konkret, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë, pas vendimit të KSHZ-së që pranoi    ankesën e BDI-së për një vendvotim në Zhelinë. Sekretari i përgjithshëm i BESA-s,  Arianit Hoxha akuzoi se integristët duan të manipulojnë rezultatin zgjedhor në vendvotimin 2107.

Megjithëse nuk dëshiron të komentojë para kohe vendimin e Gjykatës Administrative, Besa, sipas tij, nuk do të ulet në një tavolinë me ata që shkelin vullnetin e qytetarëve por për këtë gjithsesi duhet të vendosë kryesia.

Por Hoxha thotë se edhe nëse partia e tij vendos të qëndrojë në qeveri,  ai do të tërhiqet nga posti i ministrit.

“Nuk duam të paragjykojm vendimin e gjykatës, nuk flasim për çështje se si do të vendosin organet, nuk e vendosim në tavolin Zhelinën se tas hidhërohemi se ka ripërsëritje, flasim për një mosrespektim total të  partnerit të koalicionit nga mënyra se si zhvillohet procesi zgjedhro. Dhe prandaj duke i ditur të gjitha këto unë për vete duke nisur nga integriteti im personal. Edhe sikur të vendose partia që të vazhdohet qeverisja unë nuk do të jemë ministër në këtë qeverisje” – tha Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha.

Ahmeti: Deklarata emotive, presion ndaj institucioneve

Për kreun e BDI-së , deklarimet e fundit të sekretarit të përgjithshëm të Lëvizjes Besa, janë deklarime emotive që kanë një qëllim, ushtrimin e presionit ndaj institucioneve. Gjithsesi Ahmeti nuk mendon se Besa duhet të tërhiqet nga koalicioni.

“Deklarata emocionale, dhe presion i drejtpërdrejtë ndaj organeve që janë kompetente për të sjellë rregull dhe drejtësi në vend. Dhe mendoj se është presion ndaj institucioneve. Unë nuk mendoj se Lëvizja BESA do të tërhiqet, sepse i shkakton dëm edhe vetë partisë në fjalë, por besoj se është një lloj presioni ndaj koalicionit, por koalicioni nuk dëmtohet nga deklarata dhe presionet e tilla. Megjithatë nuk është mirë sepse po ushtrohet presion ndaj institucioneve” – deklaroi Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Hoxha: Në Qeveri BESA ishte për shkak të Eurointegrimeve

Hoxha thotë se sado që të duket deklarata e tij emotive, politikanët duhet të tregojnë se principet nuk duhen shkelur.

“Njeriu jeton për principe dhe nuk mundem unë të ulem me ata njerëz në qeveri kur na kanë ngulur thikë pas shpine e të cilët gjithë vitin kemi qëndruar në qeveri vetëm për shkak të fotografisë së krijuar lidhur me eurointegrimet” – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha.  

Sa i përket akuzës nga BDI se po ushtrojnë presion ndaj institucioneve, Hoxha thotë se Besa nuk dëshiron të jenë shkaktare e një krize që nuk do i dihet fundi, por thonë se  dyshojnë se po pranohen ankesat vetëm në ato vende ku BDI-së nuk i pëlqen rezultati e diferenca është e vogël. (Sanije Duraku, TVM2)