Maqedoni
LSDM: Në një tryezë u ulën strukturat anti NATO dhe BE
06.11.2021 14:25
Pas njoftimit për shumicën e re parlamentare, nga LSDM kanë thënë se janë në anaën e popullit....

Pas njoftimit për shumicën e re parlamentare, nga LSDM kanë thënë se janë në anaën e popullit. Njëherit LSDM u bën thirrje për bashkëpunim të gjitha forcave demokratike dhe deputetëve duke i ftuar siç thuhet “të mos vënë vulë të përhershme me votën e tyre për konflikte të reja, kthim prapa dhe konflikte ndëretnike”.
“Populli e pa se si në një tryezë janë ulur përfaqësues të strukturave anti-NATO, anti-BE dhe anti-Prespë dhe strukturat anti-demokratike në vend, pjesëmarrës të aktiviteteve të përgjakshme nga 27 prilli bashkë me ato që deklarativisht angazhohen për kursin euroatlantik të vendit. Kjo përbërje nënkupton konflikt të parimeve, konflikt të qëndrimeve, konflikt të politikave dhe vlerave. Një përbërje e tillë politike nuk mund të reflektojë asgjë për interesin e qytetarëve, as edhe për interesat nacionale të shtetit, pasi e përbashkëta në atë tryezë është dëshira për pushtet”, thonë nga LSDM.
Nga kjo parti theksojnë se janë në anën e qytetarëve, në anën e interesit kombëtar dhe progresit të vendit. LSDM nuk do të lejojë destabilizimin e vendit, anulimin e Marrëveshjes së Prespës, zënka të reja me fqinjët dhe anulimin e gjithçkaje që kemi arritur së bashku me qytetarët në katër vitet e fundit, theksojnë social-demokratët, duke shtuar se shumica e re eventuale parlamentare do të duhet ta marrë përgjegjësinë për përballjen me pandeminë dhe me krizën energjetike, përgjegjësinë për sfidat që pasojnë me integrimet evropiane të vendit dhe miratimin e Buxhetit për vitin 2022.
Ahmeti: Jam në kontakt me partnerët strategjik SHBA, NATO dhe BE
Rreth situatës së krijuar ka reaguar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Gjendjen e krijuar me dorëheqjen e kryeministrit jemi duke e menaxhuar nëpërmjet të kontaktit intenziv më të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, fqinjësisë së mirë, NATO-n, BE-në, Republikën e Kosovës dhe gjuhën shqipe. Gjithashtu, për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjik, SHBA, NATO dhe BE-në. Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori. Kam shumë telefonata, porosi dhe përkrahje nga të gjitha anët, ju faleminderit dhe në pamundësi të ju përgjigjem të gjithëve, ju them që bashkë do t’ia dalim. Për të gjitha zhvillimet do të njoftoheni paraprakisht. Bashkë përgjithmonë dhe në çdo përballje” - shkruan Ahmeti në Facebook.
Ndërsa kreu i PDSH-së Menduh Thaçi Beson se edhe qeveria e ardhshme e vendit do të jetë në krye me Zoran Zaevin, edhe pse ky i fundit dje e ka zyrtarizuar dorëheqjen nga posti kryetar i LSDM-së.
NAIM RAMADANI
