Maqedoni
LSDM: Mickovskit i intereson vetëm pushteti
06.11.2021 16:40
Pas njoftimit për shumicën e re parlamentare, nga LSDM kanë thënë se Hristijan Mickoski konfirmoi se atij i intereson vetëm pushteti...

Pas njoftimit për shumicën e re parlamentare, nga LSDM kanë thënë se Hristijan Mickoski konfirmoi se atij i intereson vetëm pushteti, me çdo kusht dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë ide politike, vlera, apo platformë. Njëherit nga LSDM thonë se nuk mundet ata që kanë frenuar proceset progresive ta shpien vendin përpara.
“Do të shohim këto ditë nëse do të zgjidhet një qeveri e re antidemokratike, antiprespa, anti-NATO dhe anti-BE, nëse Mickoski ka kapacitet dhe përgjegjësi. U bëjmë thirrje të gjitha forcave demokratike progresive dhe të gjithë deputetëve që janë për të ardhmen evropiane të vendit tonë, për drejtësi dhe progres ekonomik, të bashkëpunojnë dhe të qëndrojnë me përgjegjësi në anën e opsionit demokratik.”,- thonë nga LSDM.
Ahmeti: Jam në kontakt me partnerët strategjik SHBA, NATO dhe BE
Për zhvillimet e fundit politike në vend ka reaguar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Gjendjen e krijuar me dorëheqjen e kryeministrit jemi duke e menaxhuar nëpërmjet të kontaktit intenziv më të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, Fqinjësisë së mirë, NATO-n, BE-në, Republikën e Kosovës dhe gjuhën shqipe. Gjithashtu, për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjik, SHBA, NATO dhe BE-në. Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori.”,- shkruan Ahmeti në Facebook.
ASH: Vendi do të ketë qeveri të re pa LSDM dhe BDI
Por nga Aleanca për Shqiptarët shumicën e re, e kanë cilësuar liri për qytetarët dhe luftë kundër krimit e korrupsionit.
“Partitë politike që nuk ishin pjesë e stërkeqjes që ka prodhuar regjim hibrid ndër më të korrputuarit në botë, kanë tejkaluar dallimet dhe kanë krijuar një shumicë të re, së cilës do të vazhdojnë t’i shtohen njerëz progresist e të guximshëm. Vendi do të ketë qeveri të re pa LSDM dhe BDI dhe nuk ka më kthim mbrapa. Shumica e re është përgjigja më e mirë ndaj thirrjeve të Presidentit Biden, BE-së dhe miqve tjerë ndërkombëtarë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit.”,- thonë nga ASH.
Nga e “Majta” e Dimitar Apasievit thonë se kjo marrëveshje aspak nuk do të thotë koalicion dhe ka vetëm një qëllim për të rrëzuar nga pushteti LSDM-në dhe BDI-në.
Ndërkohë shumica e re parlamentare për kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi, është një teatër i madh ndërsa beson se edhe qeveria e ardhshme e vendit do të jetë në krye me Zoran Zaevin.
NAIM RAMADANI
