Rajon, po përkeqësohet gjendja me pandeminë

07.11.2021 15:40

Gjendja me pandeminë në rajon...

Gjendja me pandeminë në rajon po përkeqësohet në rajon, që ka detyruar vendet të ashpërsojnë masat. Qeveria sllovene, në kuadër të përpjekjeve për të ndalur përhapjen e shpejtë të virusit korona, ka miratuar një numër të madh të masave të reja, por nuk vendosi për mbyllje të vendit, siç kanë rekomanduar disa ekspertë të shëndetësisë.

Masat e reja hyjnë në fuqi nga e hëna, ndërsa ndër të tjera përfshijnë shkurtim të orareve të punës së kafeneve dhe ndalesë e tubimit të njerëzve, të cilët nuk janë anëtarë të një familjeje.

Kufiri i moshës për personat të cilët duhet të kenë certifikata për vaksinim ose kalimin e sëmundjes, është zvogëluar nga 15 në 12 vite, ndërsa konfirmimet për Kovid-19 do të konsiderohen si valide vetëm me identifikim me dokument personal. Masa të reja edhe në Greqi. Dokumenti Covid, për të vaksinuarit ose test i shpejtë negativ për të pavaksinuarit, së bashku me një dokument identifikimi personal, bëhen të detyrueshme për hyrje në pothuajse të gjitha ambientet e mbyllura në Greqi, përveç tregjeve dhe dyqaneve ushqimore, farmaci, pika karburanti dhe kisha. Masat specifike për dokumentin e detyrueshëm Kovid vlejnë për qytetarët e rritur dhe fëmijët nga 4 deri në 17 vjeç mund të tregojnë deklaratë për autotest, gjegjësisht rezultat negativ nga testi për përdorim shtëpiak.

Të gjithë punonjësit e pavaksinuar të sektorit publik dhe privat, pavarësisht nga pozicioni i tyre i punës, si dhe punonjësit e objekteve fetare do të duhet të testohen me PCR ose Rapid test dy herë në javë, në vend të një herë si më parë.

Maska është ende e detyrueshme brenda, por edhe jashtë nëse ka turmë. Si më parë, edhe tani, të gjitha masat në Greqi që vlejnë për grekët, vlejnë edhe për turistët. Ndërkaq në Serbi ka mbërritur lloji Delta plus.                                                                                                         

“Është një formë shumë më ngjitëse, kemi arsye për shqetësim të madh, sepse lloji Delta plus hyn në qeliza, është një formë shumë më ngjitëse e virusit. Kjo do të shkaktojë më shumë pacientë në baza ditore. Lloji Delta plus me siguri ka mbërritur në Serbi” – thotë Komandanti i spitalit ushtarak të Beogradit, Ivo Udoviçiq.

Nga 15 nëntori edhe në Maqedoninë e Veriut ashpërsohen masat. Për hyrje në lokale hotelierike qoftshin të hapura apo të mbyllura do të jetë e lejuar vetëm për qytetarët e testuar me dy doza, apo ata që tanimë janë shëruar nga virusi. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)