Basketboll

James rikthen Cleveland-in te fitorja

16.12.2014 10:35

Në Quicken Loans Arena të Ohio-s Lebron James realizoi në total 27 pikë 13 asist dhe 7 rebound...

Pas 2 humbjeve radhazi Cleveland Cavaliers rikthehet te fitorja në NBA. Në Quicken Loans Arena të Ohio-s Lebron James realizoi në total 27 pikë 13 asist dhe 7 rebound, ndërsa Kevin Love shtoi edhe 22 pikë të tjera duke ndihmuar Cleveland-in të mposhte me shifrat 97-88 Charlotte Hornets.
 
Ndeshja nisi në mënyrë të shkëlqyer për Cavaliers. 2 trepikësha nga Irving dhe Kevin Love i shërbyen skuadrës së trajnerit David Blatt për të krijuar një avantazh të frikshëm 19-0 që në fillim.
 
Por Cleveland nuk u ndal me kaq dhe arriti t'i conte shifrat në 21-0 duke krijuar avantazhin më të madh me 0 ndaj një kundërshtari në një ndeshje të NBA që nga viti 2004 kur Portland kryesonte përballë Bostonit  me rezultatin 22-0.
 
Gjithsesi perioda e parë u mbyll me pikavarazhin 34-17 në favor të skuadrës vendase.
 
12-minutëshi i dytë ishte më pozitiv për Charlotte, që falë një koshi të Kemba Walker që rezultoi më i miri për miqtë në këtë sfidë me 24 pikë në total arriti ta ngushtonte diferencën në vetëm tre pikë me tabelën elektronike të Quicken Loans Arena që shënonte shifrat 43-40 në favor të Cavaliers.
 
Gjithsesi skuadra vendase arriti ta menaxhonte shumë mirë këtë avantazh duke e zgjeruar edhe më tepër në fund të pjesës së parë.
 
Fraksioni i dytë i lojës pavarësisht përpjekjeve të basketbollistëve të Hornets për të ndryshuar dicka nuk i shërbeu për asgjë skuadrës së drejtuar nga trajneri Clifford pasi Cleveland kontrolloi shumë mirë lojën dhe falë një pjese të dytë fatastike të Lebron James arriti të mbyllte ndeshjen me fitoren në shifrat 97-88.
 
Ky ishte suksesi i 14-të për Cleveland-in në këtë sezon me skuadrën nga Ohio që regjistron gjithashtu edhe 9 humbje.
 
Shumë më keq shkojnë gjërat për Hornets, skuadër që është në pronësi të ish basketbollistit të famshëm Michael Jordan, pasi Charlotte pozicionohet në vendin e 12-të të konferencës së Lindjes me 6 fitore dhe 18 disfata. Në ndeshjet e tjera të NBA spikat suksesi  i Portland ndaj San Antonios me shifrat 108-95.
 
Lillard dhe Aldridge realizuan së bashku 46 pikë dhe 24 rebound duke udhëhequr Blazers drejt fitores së 19 sezonale. Ndalet ecuria pozitive e Los Angeles Lakers. Kalifornianët pas tre suksesve radhazi u mundën në Indianapolis nga Indiana Pacers me rezultatin 110-91.