Maqedoni
Angelov: U detyruam t’u gjejmë punë kuadrove partiakë
08.11.2021 13:31
Avancimi i 45 personave, punësimi i përhershëm i punonjësve me kohë të pjesshme,...

Avancimi i 45 personave, punësimi i përhershëm i punonjësve me kohë të pjesshme, reformat në të gjithë sistemin e menaxhimit të krizave janë disa nga detyrat që duhet të realizohen në periudhën e ardhshme, tha në konferencën për media, drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov. Sipas tij edhe në QMK ka kuadro partiakë të cilëve u është gjetur thjesht një vend pune, e kjo ka qenë një nga sfidat me të cilën i është dashur të përballet.
“Në këtë institucion, si në të gjitha institucionet e tjera shtetërore, ka kuadro partiake të punësuar sa për t'u punësuar, tek të cilët nuk mund të mbështetemi, por u përpoqëm së bashku me ekipin që të përfitojmë maksimumin prej tyre. Mendoj se situata është përmirësuar, por skuadrat punojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri pa ndërhyrë në marrëdhëniet e tyre të këqija ndërpersonale. Me mbështetjen e numrit më të madh të të punësuarve arritëm t'i mobilizojmë të gjithë punëtorët dhe të nxjerrim maksimumin prej tyre.”, tha Stojançe Angelov, drejtor i QMK-së.
Informoi edhe se QMK ka buxhet të ulët dhe numër të kufizuar të burimeve, dhe sfida me zjarret këtë verë tregoi vështirësitë me të cilat përballet kjo qendër e cila u detyrua të kërkojë ndihmë edhe nga jashtë. Pret ndërkohë që më 11 shkurt, në Ditën e Numrit Evropian të Emergjencës, numri 112 të vihet në përdorim dhe të pranojë të gjitha thirrjet e qytetarëve edhe në vendin tonë. Potencoi edhe krizën e re energjetike të paralajmëruar për të cilën sipas tij, ndoshta duhet të ketë komision drejtues, anëtarët e të cilit duhet të përcaktojnë nëse do t'i propozojnë Qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës së shkaktuar nga kriza energjetike që kërcënon jo vetëm vendin tone, por të gjithë rajonin.
