Maqedoni

Nisma për rrëzimin e qeverisë, Rexhepi: Paralajmëroj tërheqjen, jo bashkë me Të Majtën

08.11.2021 16:12

Deputeti i Alternativës Skender Rexhepi ka lajmëruar tërheqjen e tij nga përmbajtja e shumicës së re parlamentare....

Deputeti i Alternativës Skender Rexhepi ka lajmëruar tërheqjen e tij nga përmbajtja e shumicës së re parlamentare pasi në listë pa njohurinë e tij më pas janë nënshkruar edhe dy deputetët e Së Majtës. Rexhepi thotë se s’do të tërheqë nënshkrimin e tij, por kërkon që të tërhiqen firmat e dy deputetëve të Së Majtës dhe të zëvendsohen me nënshkrime të deputetëve të PLD-së.

Rexhepi thotë se ka nëshkruar pasi ka marrë konfirmim nga kreu i Alenacës Ziadin Sela se E Majta s’do përfshihet në këtë inicijativë. 
 
“Të jem në një listë me njerëz të tipit të cilët e rrisin veten me urrejtje ndaj shqiptarëve, atë nuk e kam lejuar asnjëherë, nuk ma lejon as edukata njerëzore, as familjare, askush për atë arsye unë do ta lë nënshkrimin aty me kusht që të hiqen ata dy të tjerët që janë nënshkruar menjëherë pas meje që janë të së majtës dhe le të shtohet me dhjetë të tjerë. Unë do të jem ai që do të jem zëri i cili do ta luftojë të keqen të quajtur BDI te shqiptarët me çdo kusht, por jo me këso lloj kushtesh.”, tha Skender Rexhepi, deputet i Alternativës.
 
Sela: Pa Rexhepin s’rrezikohet shumica e re
 
Pretendimet e Rexhepit se është manipuluar nga kreu i ASH-së, i përgënjeshtron vetë Sela, i cili thotë se bëhet fjalë për manipulim të piarit të BDI-së, dhe e gjith situata s’do rrezikojë nismën për rrëzimin e qeverisë.
 
“Po flitet për një parti politike e cila është formuar tani dhe e cila ka vetëm dy deputetë, as që janë në mundësi ta heqin Maqedoninë nga NATO, as që janë në mundësi të heqin ligjin për përdorimin e gjuhëve  dhe në asnjë mënyrë nuk munden të tërheqin njohjen e republikës së Kosovës. Kjo formë e bërjes së piarit është tejet e ulët dhe tregon fytyrën e BDI–së të cilët frigohen dhe me rëndësi kanë pushtetin me çmimin për të zbrazur shtetin. Pse nuk flasin për LSDM–në apo për VMRO-në, por flasin për një parti e cila vetëm se është nëshkruar që të bie kjo qeveri.”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH – së.
 
BDI: Mund të ruajmë shumicën aktuale
 
Nga BDI nuk përjashtojnë mundësinë për të ruajtur shumicën parlamentare me distancimin e Skender Rexhepit nga nisma e rrëzimit të qeverisë.
 
“Ishte e qartë deklarata e tij dhe e kuptoj, bashkëpunim me të majtën, cilido do ta ketë problem ta spjegojë  para partnerëve tanë dhe para votuesve të tij.Pse jo mos ta ruajmë shumicën.”, tha Izet Mexhiti, deputet i BDI –së.
 
Brenda javës mblidhet këshilli ekzekutiv i LSDM-së
 
Nga rradhët e social demokratëve u prononcua kryetari në largim të qytetit të Shkupit Petre Shilegov në cilësinë e anëtarit të LSDM-së, duke e cilësuar nismën për votëbesimin e qeverisë si lojë dhe mjegullim të opinionin. Sipas tij LSDM do të mblidhet brenda javës për të qartësuar shumë çështje.
 
MERALE SIMAILI