Xhaferi, të enjten seanca për mocion ndaj qeverisë, Alternativa: Qëndrimi për mocionin në kuvendin qëndror
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi e ka caktuar për të enjten seancën në të cilën do të votohet për mocionin e votëbesimit të Qeverisë...

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi e ka caktuar për të enjten seancën në të cilën do të votohet për mocionin e votëbesimit të Qeverisë, të inicuar nga VMRO-DPMNE, kualicioni ASH -Alternativa, Besa dhe e Majta.
Pas dorëzimit të nismës, Xhaferi e ka ftuar për konsultim kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa ky i fundit ka takuar edhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Pas konsultimeve Xhaferi e ka caktuar seancën kuvendore.
“Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në pajtim me nenin 215 paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do e caktojë seancën për kërkesën e parashtruar për votim të besimit ndaj Qeverisë dhe e njëjta do të mbahet ditën e tretë nga dita e parashtrimit të pyetjes për besimin ndaj Qeverisë , respektivisht e enjte (11.11.2021), në ora 11.00. Sipas Nenit 215, paragrafi 3 i Rregullores së Kuvendit, afati për caktimin e seancës fillon të rrjedhë prej ditës së ardhshme, të parashtrimit të pyetjes për besimin ndaj Qeverisë”, thuhet në kumtesën e kabinetit të kryetarit të Kuvendit.
Sipas informacioneve të deritanishme, megjithatë është e pasigurt se sa deputetë do të votojnë për mosbesim ndaj Qeverisë të enjten, pasi deputeti i Alternativës Skender Rexhepi Zejd tha se nëse “E majta” mbetet në listën për rënien e Qeverisë, ai do të tërheq nënshkrimin dhe nuk do të mbështesë mocionin.
Lidhur me këtë çështje kryesia qendrore e Alternativës të hënën ka mbajtur mbledhje por nuk është sjellur ndonjë vendim konkret.
TVM2 ka kontaktuar me zëdhënësin e Alternativës, ndërsa ai nëpërmjet një sms porosi tha se vendimin do ta njoftojnë pasi të jetë sjellur nga organet partiake.
“Sot ose nesër do të ketë mbledhje Kuvendi Qëndror. Në këtë moment nuk mund ta them sakt se kur do ta mbajmë mbledhjen” – tha zëdhënësi i Altarnetivës, Orhan Murtezani.
Kundër mocionit të mosbesimit të qeverisë janë shprehur BDI dhe PDSH. Madje këto parti kanë kundërshtuar edhe dorëheqjen e kryemisnitrit Zaev, duke vlerësuar se ai duhet të vazhdojë të drejtojë qeverinë dhe të vazhdojë procesi integrues i vendit drejt BE-së.
Por Këshilli qëndrorë i BDI-së ka autorizuar kryetarin Ali Ahmeti që të biseodjë me të gjitha partite politike në vend, përveç me partinë “E Majta”.
Në këtë kontekst ka qenë edhe takimi të Ahmetit me kreun e VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski, me të cilin siç kanë njoftuar nga BDI, është biseduar rreth zhvillimeve të fundit.
“Ahmeti ka përsëritur qëndrimin se vendit i nevojitet stabilitet politik sidomos tani kur afrohet dhjetori si mundësi serioze për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe fillimin e negociatave me BE-në”, theksojnë nga BDI. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
