Qeveria, shpallet gjendje e krizës energjetike
Qeveria ka shpallur gjendje krize në sektorin energjetik....

Qeveria ka shpallur gjendje krize në sektorin energjetik në Maqedoni të Veriut në gjatësi prej 30 ditëve. Por shpallja e gjendjes së krizës sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nuk do të thotë se do të ketë restrikcione, por vetëm mundësi për t’iu ndihmuar kompanive furnizuese me energji elektrike. Bekteshi mohon se në vend ka mungesë të furnizimit me energji elektrike.
“Është miratuar gjendje krize në sektorin energjetik dhe në asnjë mënyrë nuk janë miratuar masa restriktive të cilat do të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve. Për momentin në bazë të gjitha vlerësimeve, informatave të të gjitha kompanive në vend. Sa i përket sektorit energjetik është stabil, ka furnizim konstant me energji elektrike për amvisëritë por edhe për industritë.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
VMRO-DPMNE: Vendi para kolapsit energjetik
Nga ana tjetër nga VMRO-DPMNE thonë se për shkak të keqmanaxhimit, vendi është para kolapsit energjetik, ku më së shumti do të pësojnë qytetarët, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe restrikcioneve.
“Një gjë është e qartë: Maqedonia është në gjunjë, pa prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike. Jemi përballë kolapsit, varfërisë dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike. Operatori i Sistemit të Transmetimit (MEPSO) është në prag të falimentimit duke marrë energjinë e dikujt tjetër nga rrjeti evropian, për të cilin do të duhet të paguhen mbi 15 milionë euro. Një turp i tillë për energjinë maqedonase që nga pavarësia e deri më sot nuk ka pasur.”,- theksoi Stevçe Antovski nga VMRO-DPMNE.
TEC – Manastir: Është mënjanuar defekti, vazhdon prodhimi
Ndërkohë është mënjanuar defekti në TEC - Manastir në orët e hershme të mëngjesit. Në këtë termoelektranë ka filluar sërish me prodhimin e energjisë elektrike, njoftojnë nga SHA EMV. Nga ky institucion njoftojnë gjithashtu se po bëhen përpjekje për vënien në funksion edhe të Bllok 2.
“Informojmë opinionin se TEC - Manastir është vënë në funksion dhe vazhdon me prodhimin e energjisë elektrike. Në orët e hershme të mëngjesit, gjegjësisht në 03:00 Blloku 1 është sinkronizuar me sistemin elektro-energjetik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vazhdojnë aktivitetet për vënien në funksion edhe të Bllok 2 i cili ka qenë në riparim. Pritet që deri në fund të javës edhe ky bllok të jetë në rrjet”,- thuhet në njoftimin e lëshuar nga SH.A. EMV. (Ersan Pajaziti, TVM2)
