Dokumentet për 6 janarin, Gjykata refuzon kërkesën e Trumpit

10.11.2021 12:26

Një gjykatëse federale në Shtetet e Bashkuara...

Një gjykatëse federale në Shtetet e Bashkuara vendosi që komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kongres, mund të ketë qasje në disa nga të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të kohës së ish-presidentit Donald Trump.

Trumpi ka argumentuar se materialet i mbulon privilegji ekzekutiv, i cili mbron konfidencialitetin e disa komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë.

Hetimet e komitetit po përpiqen të zbulojnë nëse Trumpi ka pasur njohuri paraprake për trazirat.

Më 6 janar, qindra mbështetës të tij kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit 2020, në të cilat kandidati demokrat, Joe Biden, kishte dalur fitues.

Trazirat kanë lënë pesë persona të vdekur, përfshirë një zyrtar të policisë. Së paku 535 protestues janë arrestuar, por, deri më tani, janë shqiptuar vetëm disa dënime. Komiteti i Përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve dëshiron të shohë disa të dhëna telefonike, regjistra të vizitorëve dhe dokumente të tjera të Shtëpisë së Bardhë, që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet e asaj dite.