Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, kandidatët nën ethet e garës
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë....

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të mbahet të dielën, ndërsa subjektet politike tashmë janë aktivizuar me tubime me qytetarë e duke bërë premtime të shumta.
Në zgjedhjet e së dielës, 14 nëntor, të drejtë vote kanë 1,260,571 qytetarë, kurse gara do të zhvillohet në 21 komuna të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe komunat më të mëdha, si Prishtina, Prizreni, Gjakova. Procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1,638 nga 2,477.
Subjektet politike ndërkohë kanë edhe tri ditë kohë që të bëjnë fushatë zgjedhore, kurse të shtunën në vend do të jetë heshtje zgjedhore.
Procesi i votimit përmes postës është duke vazhduar për 21 komunat në të cilat mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se deri ditën e martë kanë pranuar mbi 1 mijë e 300 pako të supozuara me fletëvotime.
Fletëvotimet përmes postës duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 12 nëntor 2021.
