Polonia paralajmëron “përshkallëzim të armatosur” me Bjellorusinë, emigrantët grumbullohen në kufi

10.11.2021 13:10

Polonia paralajmëron për një përshkallëzim të mundshëm....

Polonia paralajmëron për një përshkallëzim të mundshëm të armatosur në kufirin e saj me Bjellorusinë, ndërsa mijëra emigrantë përpiqen të kalojnë kufirin për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Qeveria polake akuzon Bjellorusinë se po i drejton emigrantët drejt kufirit, si pjesë e një ‘lufte hibride’.  Mijëra emigrantë kanë ngritur kampe përgjatë kufirit afër fshatit polak Kuźnica. Disa u përpoqën të çanin gardhin me tela dhe rojat kufitare polake përdorën gazin lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Autoritetet polake thanë se Në 24 orët e fundit ka pasur  309 përpjekje të paligjshme për të kaluar kufirin. Roja Kufitare ka lëshuar 85 urdhra për largim nga territori i Polonisë. Shtatëmbëdhjetë të huaj u arrestuan dhe do t’i nënshtrohen një procedure administrative.

Nuk është e qartë nëse emigrantët e ndaluar kanë kërkuar strehim në Poloni, që është e drejtë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.

Emigrantët janë nga Afganistani, Lindja e Mesme dhe Afrika, kryesisht të rinj, por edhe disa gra dhe fëmijë.

Polonia mbylli të martën vendkalimin kryesor kufitar me Bjellorusinë, që është rruga kryesore për trafikun rrugor midis Evropës veriore dhe Rusisë. Polonia ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin kufitar, duke bllokuar qasjen e grupeve të ndihmës dhe gazetarëve. Disa emigrantë kanë vdekur tashmë në kufi, ndërsa mijëra janë të bllokuar në temperatura të ulëta me pak ushqime ose ujë.

Organizatat humanitare thonë se veprimet e trupave polake për kthimin mbrapsht të strehimkërkuesve të ligjshëm, shkelin ligjin evropian dhe ndërkombëtar. Polonia thotë se veprimet e saj janë të ligjshme.

Polonia dhe Bashkimi Evropian akuzojnë Minskun për shfrytëzimin e emigrantëve si “armë” duke i ftuar ata të hyjnë në Bjellorusi dhe më pas duke i drejtuar në kufi, ndonjëherë edhe me forcë.

Bjellorusia mohon akuzat se po i dërgon emigrantët drejt kufirit. Rusia shprehu mbështetjen për aleaten e saj, Bjellorusinë dhe fajësoi politikat e Bashkimit Evropian mbi migracionin për situatën në kufi.

Lituania, e cila së bashku me Letoninë ka përjetuar gjithashtu një valë emigrantësh muajt e fundit, ka filluar të vendosë më shumë trupa përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë.