Maqedoni

Rritet numri i rasteve të reja me Covid-19, Filipçe: Kjo valë nuk do të jetë e fuqishme

10.11.2021 13:40

Është rritur për 28.5% numri i rasteve të reja Covid në dy javët e fundit, e për 15% numri i personave të hospitalizuar...

Është rritur për 28.5% numri i rasteve të reja Covid në dy javët e fundit, e për 15% numri i personave të hospitalizuar. Por ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se kjo rritje pritej e për momentin nuk ka nevojë për masa të reja. Aktualisht në spitale ka 518 pacientë Covid. Rriten ndërkohë rastet te moshat e reja. Nga 8.006 raste aktive, 1.068 janë fëmijë.

“Kemi 1068 të infektuar tek popullata e re. Në Kozle trajtohen 23 fëmijë, dy prej tyre janë në terapi oksigjeni. Kemi edhe një foshnje 2 muajsh të shtruar për kurim në Kozle. Skriningu është kryer në shumë shkolla, janë testuar mbi 5000 fëmijë, prej të cilëve vetëm 15 kanë rezultuar pozitiv.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Vaksinat Johnson&Johnson, Filipçe: Nuk kemi informacione se kur do të arrijnë
 
Ende nuk ka ndërkohë një datë të saktë se kur do të arrijnë 250 mijë vaksina Johnson&Johnson që ishin paralajmëruar si donacion nga Danimarka.
 
“Ende nuk kemi informacione konkrete, ishin paralajmëruar në dy raste. Fillimisht si informacion dhe mundësi që e pranuam, para disa javëve me vërtetim përfundimtar se ato vaksina mund të vijnë në vendin tonë. Afati i vaksinave është deri në vitin 2023, por datë konkrete ende nuk kemi.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
40 000 vaksina kundër gripit sezonal, regjistrimi për vaksinim përmes vakcinacija.mk
 
Aktualisht vendi ka në dispozicion 250 mijë vaksina Pfizer, 50 mijë doza Sinovac dhe rreth 100 mijë vaksina Astra Zeneca. Kanë mbërritur ndërkohë 40 mijë vaksina katërvalente të gripit sezonal, që po shpërndahen nëpër qendrat mjekësore. Ato janë falas për të sëmurët kronikë, të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët dhe punonjësit  shëndetësorë. Qendrat e Shëndetit Publik kanë blerë edhe 11.000 komerciale, prej të cilave 4.000 janë në Shkup. Qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen do të duhet të regjistrohen në faqen vakcinacija.mk. 
 
GYLTENE SINANI