Maqedoni
Rexhepi: jam shqiptar, ky është vullneti i Zotit
16.12.2014 15:55
Po, Sulejman Rexhepi është shqiptar! Ky është vullnet i Zotit dhe për këtë, në shenjë falënderimi, i përulem natë e ditë...

Po, Sulejman Rexhepi është shqiptar! Ky është vullnet i Zotit dhe për këtë, në shenjë falënderimi, i përulem natë e ditë me një krenari të papërshkrueshme. Kështu Rexhepi u përgjigjet në një shkrim të tij reagimeve të intelektualëve dhe mediave maqedonase, se kryetari i BFI-së ka shqiptarizuar këtë institucion fetar.
Më tej, Rexhepi pyet: “Kë rrezikon shqiptarizmi im? Kush ndjehet i kërcënuar nga shqiptarizmi im skajshmërisht paqësor? Natë e ditë i përulem Zotit për vullnetin e Tij, me të cilin ka vendosur që për mëkëmbës të Vet në tokë të caktojë njeriun. Për mua të gjithë njerëzit në botë janë mëkëmbës të Zotit. Këtij fakti i besoj po aq sa i besoj vetë Allahut Fuqiplotë”.
Prandaj, ai thotë se asnjëherë shqiptari nuk mund të jetë kundër maqedonasve të ndershëm, por vetëm kundër zullumqarëve.
“Shqiptarët e Maqedonisë kanë kontribuuar për një bashkëjetesë të pashoqe në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve, kanë dhënë kontribut të pamohueshëm për Shtetin e Maqedonisë, për vetë popullin maqedonas, për fenë dhe kishën e tyre, për gjuhën, për historinë, për kulturën maqedonase, të cilat kurrë nuk i kanë mohuar. Po pse kaq mllef e urrejtje kundër shqiptarëve? Nëse një shqiptar e sulmon një dukuri që po ndodh në mesin e maqedonasve, kjo menjëherë përkthehet si atak i “nacionalizmit shqiptaromadh”- shprehet Rexhepi.
Ai vazhdon më tej me disa urata, siç thotë ai, të sinqerta, ndonëse strukturave të instrumentalizuara maqedonase do t’iu duken si ironi!
“Përjetë rroftë populli maqedonas! Rrofshin “sllavomaqedonasit”, “maqedonasit antik”! Rrofshin e qofshin “myslimanët maqedonas”, dhëntë Zoti e u shtofshin sa më shumë, sepse vetëm kështu do të na shtohet numri i pjesëtarëve të BFI-së dhe të tejkalohet numri prej një milion myslimanëve në vend. Rrofshin edhe torbeshët, të cilët unë dhe BFI-ja i kemi ngritur në kategori kushtetutare, ashtu siç e gëzojnë këtë të drejtë edhe turqit, romët, boshnjakët, egjiptasit, si dhe pjesëtarët e tjerë të islamit që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni. Mos të harroj, një uratë të përshpirtshme t’ua dërgoj edhe shqiptarëve ortodoks të vendit”.
Rexhepi, theksoi se konvertimet etnike janë përpjekje djallëzore, akt prej atyre akteve më të urryera nga Zoti Fuqiplotë. Dhe kundër kësaj dukurie duhet të shprehin urrejtje e mllef edhe mediat e instrumentalizuara maqedonase dhe jo kundër shqiptarit, Sulejman Rexhepit, i cili pati guximin që ta shpreh frikën e pjesëtarëve të besimit të tij, të cilëve ekzistenca po u varet nga politika e konvertimit etnik që po e ushtrojnë disa të pamend.
Rexhepi, thotë se nuk e brengosin sulmet që i përkasin strategjive të shërbimeve sekrete, por tepër të neveritshme ishin sulmet nga “bota akademike” e disa diletantëve.
“Unë qenkam për “Shqipëri të Madhe”? Përpjekje politike tepër arkaike, si e tillë demode. Shqiptarët, deri më një, tani janë për inkuadrim dhe integrim në familjen e madhe evropiane të BE-së. Dhëntë Zoti që të gjitha tokat shqiptare, sa më parë të jenë nën një kufi të BE-së. Me shpirt i lutem Zotit që edhe Maqedonia të inkuadrohet sa më shpejt në këtë familje evropiane, madje pa e ndërruar as emrin dhe asgjë tjetër”.
Ai në këtë shkrim po ashtu vë në dukje orientimin e tij pro-amerikan dhe siç thotë ai, të gjithë shqiptarëve.
“Nuk ka shqiptar në botë që sot nuk e ka gojën përplot Amerikë. Nuk ka shtëpi shqiptari që nuk e ka flamurin e Amerikës. Nuk ka shqiptar në botë të cilit do t’i pengonte sot flamuri apo stema amerikane. Dora e zgjatur që shpëton një njeri, një familje, një komunitet apo një popull, ajo dorë është e bekuar”.
Njëherit, Rexhepi i ftoi liderët e ndryshëm politik e fetar maqedonas që bashkërisht, në një ditë të premte, në xhami e kisha t’i drejtohen Zotit të Plotmëshirshëm me lutje të përshpirtshme për të na ndihmuar që Maqedoninë sa më parë ta shpijmë në familjen e madhe të BE-së.
“Le t’i lutemi krijuesit tonë për vetëdijesim, për iluminim të mendjes e shoqërisë në përgjithësi. Do të jemi më të sinqertë dhe më të devotshëm”- thuhet mes tjerash në kolumnën e kryetarit të BFI-së.
SANIJE KASAMI
