Maqedoni

Milloshoski: Nisma me 61 deputetë do të korrigjohet teknikisht

10.11.2021 14:35

Nisma për votimin e mosbesimit të qeverisë e dorëzuar ditën e hënë do të ngelet por e njëjta do të “korrigjohet teknikisht”...

Nisma për votimin e mosbesimit të qeverisë e dorëzuar ditën e hënë do të ngelet por e njëjta do të “korrigjohet teknikisht”, kështu deklaroi deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, pa cekur nëse në këtë listë do të ndodhen deputetët e partisë “E Majta”.  Në listë nuk do të jenë 61 firma por sipas tij do të ketë numër më të madh të deputetëve  që do të votojnë mosbesimin e qeverisë.
 
“Iniciativa mbetet, Rregullorja mundëson që të mund të korrigjohet teknikisht pa u bërë ndryshime në afatet për votimin e saj. Do të bëjmë korrigjim teknik i cili do të japë hapësirë që të gjejnë veten edhe deputetë të caktuar të cilët kishin vërejtje dhe të votojnë për rënien e qeverisë  Zaev. Të enjten do të votohet me këtë iniciativë në të cilën do të ketë numër më të vogël të firmave nga 61 sa atë që parashtruam fillimisht por do të ketë numër më të madh të votave që do të votojnë mosbesimin e qeverisë.”,- tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
Rexhepi: Do të jemi pjesë e nismës së re, pa “Të majtën”
 
Deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi, thotë se partia  ka vendosur që të jetë pjesë e një nisme të re për mosbesim ndaj Qeverisë, pa të “Majtën”.
 
“Koordinatori i VMRO-së bëri një kërkesë krejt tjetër, për një nismë të re ku nuk do të jetë “E Majta”, gjë që u dakordova edhe unë, u dakorduam edhe ne si subjekt politik. Pasi që “E Majta” nuk duhet të ishte, kushti im ishte që “E Majta” të mos jetë pjesë e nismës. Ne besoj shumë shpejt  si grup parlamentarë apo si deputetë të Alternativës do të pozicionohemi se do të nënshkruajmë nismën por si do të vazhdojë më tutje brenda kohës do ta shohim.”,- u shpreh Skender Rexhepi nga Alternativa.
 
Mbetet të shihet nëse opozita do t’i ketë 61 vota ose më shumë siç paralajmërojnë për të rrëzuar qeverinë Zaev 2. Kryeparlamentari Xhaferi ka deklaruar tashmë se  nëse të enjten dështon nisma për mocionin e mosbesimit, për nismë tjetër, do të duhet të pritet 90 ditë.


NAIM RAMADANI