Maqedoni
Plenumi Studentor sërish kundërshton provimin shtetëror
16.12.2014 16:03
Plenumi Studentor vazhdon të këmbëngul në kërkesat e tij. Ata janë shprehur të zhgënjyer nga injorimi i kërkesave të tyre...

Plenumi Studentor vazhdon të këmbëngul në kërkesat e tij.
Ata janë shprehur të zhgënjyer nga injorimi i kërkesave të tyre nga ana e institucioneve dhe nuk përjashtojnë mundësinë e protestave të reja, pasi që thonë se u janë shterur mundësitë e tjera.
“Nuk përjashtohet mundësia e protestave të reja. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha rrugët institucionale. Gjithashtu do të kërkojmë që të na mbështesë edhe presidenti, fillimisht si profesor, sepse ai njëherësh është profesor dhe qytetar i këtij vendi, por edhe president. T’i dëgjojë edhe ai kërkesat e studentëve dhe të ndërhyjë në këtë proces”- deklaroi Stefan Dojçinoski nga Plenumi Studentor.
“Qeveria kërkon që të zbatojë testimin për të rritur cilësinë me metoda sasiore. Konsiderojmë se kjo nuk është në rregull dhe ende nuk e kemi të qartë se pse institucionet mundohen t’i diskreditojnë kërkesat tona”- tha Hristijan Davidoviq nga Plenumi Studentor.
Nga Plenumi Studentor thonë se nuk do të pranojnë asnjë modalitet të provimit shtetëror. Nga ana tjetër, në mbledhjen e fundit të qeverisë provimi shtetëror për studentët mori miratimin. Radhën e ka faza e debatit publik lidhur me propozimin e qeverisë.
NAIM RAMADANI
