Maqedoni
Rutte në Shkup, Ruzhin: Përkrahje direkte për qeverinë aktuale
10.11.2021 17:48
Vizita e kryeministrit holandez, Mark Rutte, me vete sjell dy mesazhe...

Vizita e kryeministrit holandez, Mark Rutte, me vete sjell dy mesazhe: e para ka të bëjë me përkrahjen e tij për të ruajtur stabilitetin qeveritar dhe e dyta - për të vazhduar kursin e mëtutjeshëm eurointegrues, thotë ish ambasadori, Nano Ruzhin. Ai është i mendimit se qeveria duhet të tregohet e durueshme, sepse gjasat për të filluar bisedimet janë afruar.
“Mendoj se është përkrahje direkte për kryeministrin tonë, Zoran Zaev, i cili edhe pse paralajmëroi largim të përkohshëm, gjithsesi mbetet evropian i përbetuar dhe gjithë kjo kontribuon që shanset tona për integrim në BE të rriten. Mendoj se rruga jonë drejt BE-së po përshpejtohet për faktin se Shkupi dhe Tirana janë si një kompozicion i njëjtë dhe mendoj se së shpejti do t’i fillojmë bisedimet, bashkërisht.”,- tha ish ambasadori, Nano Ruzhin.
Malevski: Sinjal nga BE përmes kryeministrit holandez
Profesori universitar, Denko Malevski, vizitën e kryeministrit, Holandez Rutte, e shef në emër të BE-së, si sinjal për të vazhduar aspiratat drejt BE-së.
“Këtë vizitë e vlerësoj si shenjë e përkrahjes së fuqishme të BE-së, me theks të veçantë kur dërgon kryeministër të një shtetit që siç e dimë Holanda bashkë me Francën patën negociata rreth shpejtësisë së përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.”,- u shpreh profesor universitar, Denko Malevski.
Kryeministri holandez, Rute përkrahjen për fillimin e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën e ka përforcuar qysh në Samitin e Bërdos, duke thënë se të dyja shtetet janë të gatshme të hedhin një hap para drejt fillimit të negociatave.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
