Maqedoni

Revidohet lista, 17 deputetë tërhoqën firmat nga mocioni fillestar

10.11.2021 18:02

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit njoftuan se 17 deputetë i kanë tërhequr nënshkrimet nga mocioni për mosbesimin e Qeverisë...

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit njoftuan se 17 deputetë i kanë tërhequr nënshkrimet nga mocioni për mosbesimin e Qeverisë. Me këtë, lista reviduar, në të cilën opozita kërkon votimin e mosbesimit të Qeverisë ka 17 nënshkrime më pak. 
 
“Njoftojmë se kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar njoftim për tërheqjen e nënshkrimeve nga materiali për besimin e Qeverisë, me gjithsej 17 nënshkrime të deputetëve”,- thuhet në njoftimin e kabinetit të kryetarit të Kuvendit. 
 
Kjo tërheqje e disa prej nënshkruesve fillestarë, përfshirë edhe dy deputetët e së Majtës, erdhi pasi e deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi, kushtëzoi firmën e tij pikërisht me arsyetimin se e njëjta nuk mund të jetë në të njëjtën fletë me atë të kolegëve të tij nga E Majta. E tërheqjen e tyre e cilësoi si fitore të AA-së.
 
“Jepet mesazhi që në asnjë hapësirë, shoqëri, listë të përbashkët nuk mund të ketë me njerëz të cilët janë anti-shqiptarë, anti-NATO, anti-BE, anti-Kosovë dhe kjo nuk do të lejohet as në të ardhmen nëse ata mbajnë kurs të tillë.”,- theksoi deputeti i partisë Alternativa, Skender Rexhepi.
 
Gashi: 4 deputetët e AAA-së do të votojnë kundër Qeverisë
 
Kreu i Alternativës, Afrim Gashi, njoftoi se të katër deputetët të enjten do të votojnë mosbesimin e qeverisë. Por, ai thotë se partia e tij nuk është për zgjedhje të shpejta, marrë parasysh krizën energjetike dhe pandeminë. Kemi nevojë për Qeveri të re që do të punojë dhe do të mbajë kursin euroatlantik, tha Gashi. 
 
“Apasiev e ka tërhequr nënshkrimin e tij nga lista për mosbesim të votimit të Qeverisë dhe ne si katër deputetë të Alternativës kemi vendosur që unanimisht të unifikuar të votojmë për mosbesimin e Qeverisë. Kjo është faza e parë e cila përfundon nesër, pastaj fillon faza e dytë, se çfarë do të ndodh pastaj nuk dua të paragjykojë, por dua të them se Alternativa asnjëherë nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, ose do jetë pjesë e Qeverisë vetëm e asaj Qeverie që ka të qartë të proklamuar kursin e vetë euroatlantik dhe politikën për fqinjësi të mirë.”,- u shpreh kryetari i AAA-së, Afrim Gashi.
 
Tërheqja e 17 firmave, VMRO-DPMNE: Për arsye taktike, Qeveria do të bjerë
 
Nga VMRO janë të sigurt se i kanë 61 vota për nesër, madje edhe më shumë. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, është i bindur se Qeveria do të bjerë. 
 
“Zgjidhja është se Qeveria do të bie. Për shkak të arsyeve taktike, deputetë të caktuar i tërhoqën nënshkrimet, kështu që të enjten presim seancën dhe rënien e Qeverisë.”,- theksoi Aleksandar Nikolloski nga VMRO-DPMNE.
 
Mbetet të shihet nëse opozita do t’i ketë 61 vota ose më shumë, siç paralajmërojnë, për të rrëzuar qeverinë Zaev 2. Kryeparlamentari Xhaferi ka deklaruar tashmë se nëse të enjten dështon nisma për mocionin e mosbesimit, për nismë tjetër do të duhet të pritet 90 ditë. Por, tashmë nuk ka nismë të rr e as tërheqje të nismës ekzistuese, por thjesht revidim të listës së dorëzuar të hënën që i hap rrugë mbajtjes së seancës të enjten, ashtu siç ishte caktuar më herët.
 
SANIJE DURAKU