Maqedoni
MPPS: nga 1 janari do të paguhet sigurim për honoraristët
16.12.2014 16:29
Masa qeveritare, e cila parasheh që marrëveshjet në vepër dhe marrëveshjet autoriale të hyjnë në sistemin e Sigurimit Social...

Masa qeveritare, e cila parasheh që marrëveshjet në vepër dhe marrëveshjet autoriale të hyjnë në sistemin e Sigurimit Social, përkatësisht të paguhen kontribute edhe për personat e angazhuar në këtë mënyrë, ka për qëllim ta rrisë sigurinë sociale të qytetarëve.
Zbatimi i saj do të fillojë, siç ishte e paraparë, më 1 janar të vitit 2015, theksoi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
“Nuk guxojmë të lejojmë pasiguri sociale tek ata punëtorë, siç ka në Maqedoni. Në shumë shtete evropiane është vendosur Sigurimi i detyruar Social për "frilens punëtorët" dhe ata të cilët punojnë në bazë të llojit të ndryshëm të marrëveshjeve. Në këtë mënyrë, siguria e tyre sociale do të jetë më e madhe, do të kenë mundësi që në të ardhmen të realizojnë pension moshe”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Në të kundërtën, shtoi ai, nëse punëtorëve të tillë nuk u paguhen kontributet, personat nuk do të mund të realizojnë pension, e as sigurim gjatë lëndimeve, as të drejtë të sigurimit shëndetësor, as çfarëdo lloj të drejte që e kanë punëtorët të cilët janë pjesë e sistemit të Sigurimit të detyruar Social.
Spasov, tha se përjashtim bëhet vetëm në bazë të marrëveshjeve autoriale dhe marrëveshjeve në vepër, që kanë të bëjnë me pensionistët të cilët kanë marrëveshje autoriale.
Sa u përket pensionistëve, Spasov përkujtoi se në vitin 2015 do të ketë rritje të pensioneve për 5%.
Ndërsa kryetari i Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve të Maqedonisë, u shpreh i kënaqur me dinamikën e rritjes së pensioneve.
“Rritja e pensioneve shkon në 202 euro. Asnjë nga vendet fqinje nuk e ka këtë pension, Serbia e ka rreth 170 euro, Kosova e ka pasur 100, tani është rritur 120 euro, për Bullgarin të mos flasim, Shqipëria e ka rreth 150 euro”- tha kryetari i Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve, Dragi Argirovski.
Njëherit, ministri i Punës dhe Politikës Sociale tha se përmes masave aktive dhe politikave për punësim, që realizohen nga kjo ministri dhe Agjencia për Punësim, synohet ulja e papunësisë.
Ulja e nivelit të papunësisë, e cila sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës dhe Metodologjisë për Statistikë të “Eurostat” arrin në 27,9 për qind, që është rezultat i angazhimit gjithëpërfshirës, realizimit të masave, reformave, tërheqjen e investimeve të huaja, tha Spasov.
FARIJE DAUTI-BAKIU
