Maqedoni

Gjykimi për fatkeqësinë në Llaskarcë, Gjykata me vendim për super ekspertizë

11.11.2021 11:49

Pas rreth 2 viteve procedurë gjyqësore dhe përfundimin e dëshmive, trupi gjykues për rastin e fatkeqësisë së autobusit në Llaskarcë...

Pas rreth 2 viteve procedurë gjyqësore dhe përfundimin e dëshmive, trupi gjykues për rastin e fatkeqësisë së autobusit në Llaskarcë, pranon kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve që të ketë një super ekspertizë. Sipas trupit gjykues, kjo bëhet për arsye se në ekspertizën e mëparshme ka pasur kundërthënie.

 
Mbrojtja e të dëmtuarve: Gjykimi stërzgjatet, ekspertiza e panevojshme
 
Vendimi i tillë i gjykatës, në kohën kur pritej që gjykimi të ketë epilog përfundimtar, ka irrituar tejmase prokurorin publik, mbrojtjen e palës së dëmtuar dhe familjarët e viktimave të cilët kërkuan shpjegim për sjelljen e vendimit për ekspertizë të re.
 
“Vendimi i gjykatës për super ekspertizë vetëm se do ta stërzgjatë procedurën. Ky është vendim i gjykatës për shkak të mospërputhjes së gjetjeve dhe mendimeve të ekspertëve, por unë mendoj se kësi lloj mospajtimesh apo mospërputhjesh nuk ka pasur.”,- tha avokati i palës së dëmtuar, Vlladimir Nikollovski.
 
“Pas aq viteve ne vlerësojmë se drejtësia po shmanget dhe kjo për familjarët e viktimave është traumë dhe dhimbje plotësuese. Kjo nuk guxonte të ndodhë. Nuk treguan se në cilin segment nuk pajtohen me ekspertizat e siguruara të prokurorisë. Faktet ishin të qarta. Ne po humbim besimin në drejtësinë.”,- theksoi familjari i viktimave, Blagojçe Trpevski.
Për palën mbrojtëse e të akuzuarve, vendimi për super ekspertizë ishte i mirëpritur.
 
Avokatët mbrojtës: Ekspertiza e nevojshme, s'ka prolongime pa nevojë
 
“Ekspertizat janë plotësisht të ndryshme në sfera të caktuara për arsyen e ndodhjes së fatkeqësisë së komunikacionit. Gjëja e vetme që mundej të caktojë gjykata ishte super-ekspertiza.”,- u shpreh avokati i të akuzuarve, Sasho Dukovski.
 
Aksidenti në Llaskarcë ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, në të cilin humbën jetën 16 udhëtarë, ndërkaq akuzohen 6 persona. Pronari i “Durmo Turs” dhe njëkohësisht i akuzuari i parë në këtë rast, Durmish Beluli, tashmë gjendet në paraburgim shtëpiak.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI