Rexhepi: Nuk marr pjesë në seancën për rrëzimin e qeverisë
Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi....

Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën kuvendore për rrëzimin e Qeverisë.
Siç shkruan Rexhepi: “Një nga kauzat kryesore të mia dhe subjektit politik, Lëvizjes Besa që i përkas, ka qenë integrimi euroatlantik i RMV-së. Duke pasur parasysh momentin politik, pas shtyrjes së dorëheqjes nga kryeministri Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik, SHBA dhe shtetet e BE-së, që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marr pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merret vendim me të cilin do vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror. Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë, duke e vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë. Shteti në këtë periudhë të rëndësishme nuk ka nevojë për krizë politike dhe zhytje në ujëra të turbullta me plot të panjohura”, thekson Rexhepi në Facebook, edhe pse Lëvizja Besa kishte deklaruar se përkrah mocionin e mosbesimit, për çka Rexhepi e kishte vënë edhe nënshkrimin e tij.
