Ndahet çmimi "Sipërmarrësi i vitit 2014"
4 sipërmarrësit më të mirë për vitin 2014 në kategoritë e bizneseve të vogla dhe mikro, sot kanë marrë mirënjohje në kuadër të manifestimin tradicional vjetor për përzgjedhjen e "Sipërmarrësit të vitit 2014"....

Me këtë rast, ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, ndau çmimin special në të holla për "Kompaninë më inovative në aspektin teknologjik", kompanisë “AC DC”, të cilës ministri Neziri i ndau vauçer në vlerë prej 120 mijë denarë. Çmimi i para iu nda Vasko Damevskit në kategorinë “Biznes i vogël” dhe Andrej Petkovskit në kategorinë e “Bizneseve mikro”, çmimi i dytë iu nda Sejdi Shasivarit, si biznesmen i “Kategorisë së vogël” dhe Zvonko Tërpkovskit në mikro.
“Fillimi i biznesit, zhvillimi i tij dhe gjithsesi zgjerimi i tij, hapja e vendeve të reja të punës dhe investimi veçanërisht në kushte të vështirësuara të afarizmit, me të vërtetë është e vlefshme për respekt dhe mirënjohje. Prandaj edhe po e përmend se të gjithë ata të cilët në kushtet e sotme udhëheqin biznes, meritojnë urime”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Sipërmarrësit fitues morën statuja të arta dhe vauçer në vlerë prej 50,000 për vendet e para dhe 25.000 denarë për vendet e dyta.
“Ne ju falënderojmë për besimin tuaj dhe për shpërblimin që iu dha kompanisë sonë. Kjo do të thotë se organizatorët e dinë se si të njohin biznesin e suksesshëm. Kjo është një nxitje e madhe për mua si pronarë i kësaj kompanie dhe më nxit që të punoj më shumë”- tha pronari i Kompanisë "Urban plan construction" nga Tetova, Sejdi Shasivari.
Organizatorë të manifestimit "Sipërmarrësi i vitit 2014" ishin Ministria e Ekonomisë së bashku me Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. (Besim Abdullai, TVM2)
